Lideri i Aleancës për Shqiptarët – ASH, Arben Taravari, realizoi një takim urues me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe kryetarin e Partisë Socialiste, z. Edi Rama, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit.
Takimi u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë në Tiranë, në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore.
Me këtë rast, z. Taravari përcolli urimet më të përzemërta në emër të Aleancës për Shqiptarët për fitoren elektorale dhe rikonfirmimin e mbështetjes qytetare ndaj Partisë Socialiste dhe vizionit të saj për Shqipërinë.
“Me Kryeministrin më europian të momentit ose si thuhet kudo kohët e fundit: me Edin”, shkruajti pas takimit Taravari.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan edhe çështje me rëndësi për shqiptarët në rajon, si dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në të gjitha nivelet – politike, institucionale dhe shoqërore.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson lart rolin e Shqipërisë si faktor kyç në mbështetjen e zhvillimit demokratik dhe të drejtave të shqiptarëve në rajon dhe shpreh gatishmëri për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.