Në natën përmbyllëse të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2024”, të organizuar nga Varg e Vi dhe të mbështetur financiarisht nga Komuna e Gjilanit, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, duke u përkrahur edhe nga vetë Teatri i qytetit të Gjilanit, u dha shfaqja “Club Albania”, e bazuar në veprën “Pas vdekjes” të A. Z. Çajupit, prodhim teatror nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Shfaqja e gjatë në kohështrirje, “Club Albania”, me dramaturg Shpëtim Selmanin, regjisor Fatos Berishën e asistencë regjie të Yllka Lotës, ku luajtën aktorët Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi, u duartrokit shumë nga publiku në Teatrin e qytetit në Gjilan.
“Club Albania” shpotiti vetëkritikën kombëtare, analfabetizmin funksional, degradimin e titujve akademikë, me shumë stereotipa për orientimin seksual e etiketimet sociale të kontekstit kosovar, me një lojë tejet dinamike, ku loja dhe teksti harmonizoheshin në një tërësi të integruar, shfaqje në shfaqje, me dialogë e monologë të zhvilluar vazhdimisht, me këngë e vallëzim, me simbolika nacionale të shumë flamujve kuq e zi e çifteli, parodi ndaj nacionalizmit folklorik, me shigjeta ndaj paditurisë mbi letërsinë shqipe, me lirika dashurie të Çajupit, me batuta për mbarë shoqërinë rreth vetëperceptimit pas vdekjes dhe konfliktit dramaturgjik, me konflikte në mes të dramaturges dhe regjisores, aktorëve për role, pjesëmarrjen e grave në rolet teatrore, evoluimin e pjesëmarrjes së grave shqiptare në teatër dhe rolet e dikurshme të burrave edhe për personazhet e grave e shumë nëntema të tjera.
Fituesit e pesë çmimeve të festivalit, të cilët do të vlerësohen nga juria profesionale e përbërë nga profesionistë të njohur të fushës së artit dhe të kulturës, do të shpallen më 31 janar, në Gala Mbrëmjen e Flakës së Janarit. Varg e Vi falënderon të gjithë trupat teatrore që kanë marrë pjesë në festival dhe i uron shumë suksese. Varg e Vi falënderon të gjithë ata dhe ato që kanë mbështetur këtë festival, duke filluar nga Komuna e Gjilanit me Drejtorinë për Kulturë dhe Sport, gazetarët që e përcollën me zell çdo shfaqje dhe aktivitet, vullnetarët e Festivalit që e kanë bërë punën me mjaft profesionalizëm, stafin teknik të Teatrit, të cilët gjatë festivalit punojnë pa u lodhur me orar të zgjatur; Drejtorin e Teatrit, me të cilin Varg e Vi ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm tash e 3 vjet; mysafirin tonë special Orhan Kurtuldun, i cili na nderoi me prezencën e tij dhe mbi të gjitha, publikun e dashur, që ka ndjekur me interesim të lartë shfaqjet dhe me blerjen e biletave për digjitalizimin e biletarisë së Teatrit të qytetit në të ardhmen e afërt.
“Club Albania” shënon përfundimin e Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2024”.
/Express