Pas pak minutash pritet të nisë një nga përballjet më interesante të skenës së Counter-Strike 2, ku NAVI do të përballet me Mongolz në çerekfinalen e turneut prestigjioz IEM Cologne.
Dy ekipet kanë siguruar kualifikimin mes më të mirëve dhe sot do të luajnë para mijëra shikuesve në një nga arenat më të mëdha të e-sportit.
Për fansat kosovarë kjo sfidë ka edhe një arsye më shumë për t’u ndjekur: në server do të zbresë edhe Drin “makazze” Shaqiri, një prej talentëve më premtues të lojës.
Makazze, vetëm 18 vjeç, u promovua në ekipin e parë të NAVI nga akademia pak javë më parë, duke siguruar menjëherë një vend në një nga organizatat më të mëdha të Counter-Strike, e cila aktualisht renditet si ekipi i nëntë më i mirë në botë.
IEM Cologne është eventi i tij i parë madhor në këtë nivel dhe një rast i artë për ta treguar talentin para audiencës ndërkombëtare dhe analistëve të industrisë.