Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka demantuar një lajm që u publikua mbrëmë se LDK dhe PDK kanë zhvilluar një “takim sekret” mbrëmë.
Ajo tha se ky lajm u prodhua nga “makineria propagandistike” e Vetëvendosjes dhe se e vërteta është se takimi është zhvilluar mes kryetarit Lumir Abdixhiku dhe kandidatit të tyre për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, me ekipin e fushatës së LDK-së në Prishtinë.
“Makineria propagandistike e Vetëvendosjes është vënë në lëvizje për të krijuar konfuzion, panik e mjegull, pikërisht në kulmin e fushatës. Pas të gjitha dështimeve që s’mund t’i fshehin më, tani po shpikin “lajme sekrete” për t’i mbuluar me shpifje.Për disa lajme të fabrikuara mbrëmë, e vërteta ishte se, Lumiri dhe Përparimi dje kanë mbajtur Takimin përmbyllës të fushatës, e më pas një darkë me ekipin e Prishtinës, ku kemi qenë të gjithë bashkëpunëtorët që kemi punuar për qytetin”.
Ajo tha se nëse s’do të ishte fushatë do të kishin ngritur padi për shpifje.
“Nëse s’do të ishte kohë fushate dhe s’do të ishim të zënë me punë më të mençura, për këto lajme të rreme do të pasonte një padi për shpifje. Në Prishtinë, qytetarët e dinë mirë kush ka punuar dhe kush ka vizion. Prandaj, NESËR do të flasin me votë për punën, jo për propagandën!”.