Takimi në fund të shkallëve si metaforë! - Gazeta Express
string(39) "takimi-ne-fund-te-shkalleve-si-metafore"

OP/ED

Gazeta Express

28/05/2022 16:59

Takimi në fund të shkallëve si metaforë!

OP/ED

Gazeta Express

28/05/2022 16:59

Pse fotografia e kryeministrit kosovar Albin Kurti me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan është mesazh i koduar, të cilin, sa më parë që e dekonstruktojnë Qeveria dhe kryeministri Kurti, aq më mirë pēr Kosovën?

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Nepër zyrat qeveritare dhe të inteligjencës në Kosovë, flitet me vite për ndikimin rus në rajon dhe vend, por askush nuk ka guxim (as analizë kredibile) të flasë se si ushtrohet ky ndikim, si krijohet opinioni, si influencohen zgjedhjet dhe në fund si pasqyrohet ky ndikim në vendimmarrje?

Fjala çelës e këtij ndikimi po del të jetë Status Quo-ja në marrdhëniet me Serbinë!?

Por çka është duke ndërmarrë Albin Kurti për ta prishur këtë Status Quo?

Shenjat janë të këqija!

1.

Tendencat ideologjike për vetëvendosjën leniniste të popujve dhe bashkim kombëtar, që i kishte përsëritur shumë vite ngjim, ai vet, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kastile i shpalli ‘nul’, sepse nuk po lejuaka Kushtetuta!???

Këtë e tha njeriu që as Kushtetutën s’e njohu deri sa u ngjit në pushtet.

Edhe parulla “dajët e tezet për dasma e kanaxheqe” iu avullua para syve.

I dështoi votimi i Kodit Civil.

I dështoi Ligji i pagave, që

po e avanson rrjedhjën e trurit jashtë.

Kurti spari i çmistuar me credo-n kundër imperializmit, urdhëroi pezullimin e shitjës së aseteve të pronës publike, por mësymja për ta ndalur privatizimin, poashtu i dështoi.

Sëfundi, u shpall oferta për privatizimin e 55 aseteve të pronës publike dhe një analizë e fakteve të çon tek fotografia e Kurtit me këshilltarin e Presidentit amerikan për Siguri Kombëtare Sullivan, në fund të shkallëve!?

Inflacioni ka arritur 10.2% duke e hangër jeshil rritjën e shumëproklamuar ekonomike prej 10%, pra duke i bërë të dështojnë politikat fiskale – ekonomike.

Qeveria e Kurtit për një vit e tre muaj nuk siguroi asnjë njohje të re të shtetit të ri, që paraqet dështim në politikën e jashtme.

Zëvendëskryeministri Bislimi, i quajtur gjeni, nga militantët e Vezë-vendosjës (po e përdor këtë term me qëllime sarkastike si kamcë me zyrën vezake të Shtëpisë së Bardhë, që Kryeministri Kurti nuk e shkeli!?) nuk ka as vizion as qasje dhe as trajektore të re e strategji të re për dialogun me Serbinë, sëkëndejmi tendenca e tij është Status-Quo-ja, për të cilën amerikanët i thanë Kurtit se shkuaka në favor të Rusisë!

2.

Kurse rritja numërike e skemave sociale si dhe ndihmat me nga 100 euro (e në fushatë elektorale flisnin për shtet zhvillimor) si “gjetje gjeniale” relikte e vet Bislimit, nga Qeveria Kurti 1, janë tentakula që do ta mbërthejnë arkën e shtetit deri në gërryrje nga brenda dhe do ta gjunjëzojnë shtetin.

Pranë tyre gjendet një ministër finance më pak gjenial por më zarar të madh, një tip agresiv në prapambetje, që paranë publike ashiqare e ka shndërruar në armë politike, për ta blerë votën dhe paqen sociale.

Pa atë shtetin famoz zhvillimor kurtian dhe pa asnjë filozofi karteziane, (qeverisje protokolare e me perceptime nga dioptria e liderit popullist) pa asnjë projekt kapital (duke ndodhur!) e me rreth 500 milionë euro të bllokuara në Bankën Qëndrore për shkak të mosfunksionalizimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Sëkëndejmi, ministri Murati pos që i bindet verbërisht ekonomisë politike të primesave marksiste-leniniste të binomit Kurti-Bislimi,

ai vuan edhe nga qasja OJQ-iste në shtet. Ministër jokonsistent që priret nga rrebet e jo arsyeja, i cili në dimër ndoqi e persekutoi pronarët e makinave për prodhimin e kriptovalutave, e tash kërkon t’i tatimojë të ardhurat nga to!?

3.

Tendencat e tij për mbulimin e skandaleve të zyrtarëve të shtetit, po dështojnë, sepse i krisi e çara në marrëdhëniet ndërmjet ministrit Liburn Aliu dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi.

Tenderi 16 milionësh për mirëmbajtjen e dy autostradave, menaxhuar nga zëvendësministri i MMPHI-së, Durmishi dhe Nexhat Krasniqi – shef i Prokurimit në këtë ministri, është bërë lëndë hetimi të brendshëm në Ministrinë që drejtohet nga Aliu.

Shpërthimi eventual i këtij skandali në publik, mund ta prishë idilën e unitetit në pushtetin e Albin Kurtit!?

Në anën tjetër, dështimet e ministres së Arsimit, Nagavci sa i përket reformës, që rezultoi me shkelje të Kushtetutës dhe segregacioni (veçimi) i hapur i pakicave në Pejë, e bënë njëren nga lojalistet e radhëvë të para të Kurtit, cak për qitje!?

Gabimet e njëpasnjëshme, moskoordinimi i aplikimit në Këshillin e Europës me vendet e Quint-it, (Franca doli hapur kundër “akteve të njëanshme!?) mund “t’ia hajë kokën” Ministres së Jashtme Gërvalla, marionetës së Presidentes Vjosa Osmani dhe kjo mund ta përplasë Kurtin me klubin politik të Presidentes!?

E ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Hajdari, pasi iu përplas një fëmijë në veturë, nuk po i dëgjohet zëri, thuase ia ka dhënë dryrin kësaj ministrie.

Është krejt rehat, sepse aty nuk ndodhë asgjë!

Ministres së zhvillimit ekonomik Rizvanolli do t’i dalë punë me komisionet hetimore të Kuvendit dhe më rezistencën e sistemit për për t’i zbatuar vendimet e gjykatave rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Shteti nuk po di çka duhet bërë, t’ua kthejë paratë e inkasuara jashtëligjshëm qytetarëve apo të marrë pozicion mbi ligjin!?

Ministri i FSK-së, Mehaj, që mund të ishte një ushtarak solid i modelit të NATO-s, duke u përfshirë në Fondin e Sigurisë po del të jetë opurtun i Kurtit në mbështetje të një modeli vullnetar të financimit të Forcës,  që bie ndesh me modelin e ushtrive të NATO-s, ku synon të rreshtohet ushtria kosovare.

Porse ai po e rivalizon Hajrullah Çekun e kulturës si dhe PEN-in kosovar, duke vlerësuar për letërsi personalitete si Rexhep Qosja!?

Ministri i Bujqësisë Peci, pos vonesave në subvencionet për bujqit, mund të përballet me mungesa drithërash në treg (sivjet Kosova ka të mbjellura me grurë rreth gjashtë mijë hektarë më pak se vjet), kurse ai i policisë Sfeçla, ndonëse shpesh turret për t’i shitur punët e Prokurorisë si të tijat, megjithatë është në krye të detyrës dhe publiku vëren një funksionim dinamik të policisë.

Ministrja e drejtësisë Haxhiu, lë përshtypje se për çdo orë pune fabrikim një armik dhe shtypë ndonjë “viktimë”, aq hakmarrëse shfaqet, sa që, qëllimi i saj për fuqizim të shtetit ligjor duket si fushatë kundër opozitës dhe medias!?

4.

Qeveria e shpresës në fakt është një “tigër prej letre” sepse, Kurti duke mësyrë të kontrollojë çdo gjë, i ka dalur ndorësh çdo gjë.

Ai, detyrohet që, ose ta riformatizojë – është m’short – të tërën, ose të barazohet në mosdije e mospunë me ministra e ministresha që dështimi është shenjë dalluese dhe emëruesi i tyre i përbashkët.

Kurti e ka luksin e numrave në Kuvend, që të eksperimentojë deri sa të bie në njerëz të hajrit!

Askush nuk ka ide përse nuk vepron por e luan strucin!?

Në kontekstin e gjeopolitikës së re (pas agresionit rus ndaj Ukrainës) fati politik i Kurtit është në duart e dialogut me Serbinë.

E padrejtë?

Ndoshta historia është e padrejtë dhe ia ka destinuar Kurtit të marrë vendime hem të vështira hem të mira për vendin e tij dhe në këto çaste të pakëndshme për të, ai duhet të përgjegjet para bashkësisë ndërkombëtare (ShBA-së dhe aleatëve european) në tre pyetje thelbësore, të cilave u janë shmangur qeveritë para tij.

Çka do të bëjë Qeveria Kurti 2 me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese (interpretuesja e fundit e ligjshmërisë në vend) për pronat e Manastirit të Deçanit?

Çka do të bëjë ai me Marrëveshjën e vitit 2013 për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, të ratifikuar në Kuvend, tashmë pjesë e sistemit të brendshëm kushtetues dhe me fuqi të Marrëveshjës Ndërkombëtare?

A do t’i përgjigjet kryeministri kosovar dinamikës perëndimore të dialogut me Serbinë apo do të mbetët i kurthuar në Status Quo?

Pa iu përgjegjë këtyre tre pyetjeve, Albin Kurti rrezikon, helbete, të mos marrë as vizë për udhëtimin e radhës në ShBA e lëre më të hyp në kat, në zyrën ovale!?

5.

Fotografia alegorike poshtë shkallëve duhet të lexohet drejt.

Qeveria Kurti 2 nuk mund t’ia lë përgjigjet një kohe dhe Qeverie tjetër!

Mesazhi i kësaj fotografie sikur i flet atij me gjuhë alegorie, që nëse do me u ngjitë në kat në Shtëpi të Bardhë dhe të fotografohet në zyrën vezake, me vet Presidentin Biden, Zëvendësen e tij Harris apo Sekretarin e shtetit Blinken, duhet t’i kryej detyrat e shtëpisë, para së të këmbejë akuza e kundërakuza me Beogradin zyrtar, se kush duhet të ndryshojë…