Takimi në Bruksel për dinarin, BQK: Kemi shprehur gatishmëri për takim me Bankën Popullore të Serbisë, i përgjigjemi ftesës - Gazeta Express
string(120) "takimi-ne-bruksel-per-dinarin-bqk-kemi-shprehur-gatishmeri-per-takim-me-banken-popullore-te-serbise-i-pergjigjemi-fteses"

Takimi në Bruksel për dinarin, BQK: Kemi shprehur gatishmëri për takim me Bankën Popullore të Serbisë, i përgjigjemi ftesës

Lajme

Gazeta Express

26/02/2024 12:53

Neser është paraparë të mbahet takimi në mes të Kosovës e Serbisë, i thirrur nga ndërmjetësi i BE-së Miroslav Lajçak në Bruksel.

Festa i është bërë palëve nga Lajçaku për të diskutuar mbi Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Lexo Edhe:

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në këtë takim duke deklaruar se “çështja e dinarit s’është pjesë e dialogut”.

Kosovën këtë herë e përfaqëson Banka Qendrore e Kosovës, e cila ka konfirmuar për T7 se do të marrin pjesë në takim kur diçka e tillë është e nevojshme.

Nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Edukim Financiar kanë thënë se BQK edhe kohë më parë është shprehur e gatshme që të takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë dhe se njëjtë i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Për takimin e paraparë për të martën, në Qeveri nuk e kanë bërë të qartë se kush saktësisht do ta përfaqësojë Kosovën. Ndërkaq në Serbi kanë deklaruar se shefi i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori Petar Petkoviq, do ta përfaqësojë Serbinë.

Para pak ditësh zv.kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi e ka akuzuar ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, se ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë në fillim duke thirrur takim pa koordinim me palët. Në këtë mënyrë ai e ka refuzuar ftesën e 27 shkurtit.

Deklaratën e Bislimit, zëdhënësi i BE-së e ka quajtur të papranueshme.

Që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja re e BQK-së për paratë e gatshme – ku thuhet se mjet i vetëm i pagesës në Kosovë është valuta euro.

Që nga ajo datë nuk është lejuar futja e dinarit në Kosovë. Në pikën kufitare në Jarinjë, në disa raste janë kthyer prapa furgonët e mbushur me këtë valutë të Serbisë.

Shteti i Serbisë ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën sociale.

Beogradi e ka kritikuar ashpër Rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.