Deputetët e Kuvendit të Kosovës në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri më 8 gusht për ecuritë e mëtejme u zhvendosën në takim diskutues me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki, tha se kompromisi është i vetëkuptueshëm në politikë.
“Sistemi duhet të jetë totalisht funksional. Dhe palët duhet t’i konformohen sistemit. Sepse situata mund të ndryshojë, edhe votat mund të ndryshojnë. Kompromisi duhet të jetë i vetëkuptueshëm në politikë, por kjo kërkon kulturë në politikë. Unë nuk jam që gjykata të na e trasmetojë neve një të drejtë që të merremi vesh”, tha Kraki.
Ndërsa, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se zgjedhja e kryeparlamentarit është privilegji i subjektit të parë, por përzgjedhja bëhet me shumicën e votave të Kuvendit.
“Faleminderit për mundësinë e fjalës, sepse na është mohuar tash e sa muaj në Kuvendin e Kosovës. Më lejoni të shpreh mospajtimin tim me disa gjëra që u thanë. Shteti nuk është në pauzë. Çka po shohim është që është grusht shtet. Sot derisa po diskutojmë këtu, përkundër vendimit të Gjykatës Supreme, qeveria ka uzurpuar zyrat. Dhe nuk e them këtë fjalë me lehtësi. Për mua Kuvendi është vend ku kemi shpallur pavarësinë, kemi ndërtuar institucione dhe kryesisht z. Kraki me konsensus. Çka e ka definuar Kosovën ka qenë pikërisht ideja e konsensusit. Që nga Rambujeja e tutje të gjitha vendimet e mëdha janë miratuar si rezultat i pjekurisë politike. Në Kosovë ideja e konsensusit është rrënuar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Pra, ideja e konsensusit në Kosovë ka ekzistuar, është praktikuar dhe është rrënuar. Nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse privilegji i takon subjektit të parë zgjedhjen e kryeparlamentarit, përzgjedhja bëhet me shumicën e votave të kuvendit të Republikës”, tha Çitaku.
“U fol edhe për efektet e shumta që prodhon moskonstituimi i institucioneve. Tash kemi humbur dhjetëra miliona euro për shkak të paparashikueshmërisë politike. Parashikueshmëria është kusht për zhvillim. Secili prej nesh e njeh nga një ndërrmarrës të vogël për shkak të papërballueshmërisë së cmimit të energjisë elektrike”
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ngërçin politik e cilësoi vetë grusht-shtet.
“Nuk është që nuk hezitova, sepse nuk është se kemi çfarë te themi më ndryshe nga ajo që kemi thënë deri më tani. Nuk mendoj që është vetëm grushtshtet, por është vetëgrushtshtet. Partia në pushtet po dëshiron të jetë vetë në detyrë nga rezultatet që i ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit”, tha Bajrami./EO/