Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim të Dërguarën e Posaçme të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
Abdixhiku ka thënë se me të ka folur edhe për krizën institucionale, duke thënë se është e domosdoshme të formohen institucionet.
Në këtë takim siç tregon Abdixhiku është folur edhe për rrugëtimin e shpejtë të Kosovës në familjen euroatlantike.
“Sot, pata kënaqësinë të mirëpres në Selinë Qendrore, të Dërguarën e Posaçme të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, znj. Karen Pierce. Ajo është jo vetëm një njohëse e rrugëtimit tonë shtetformues, por një diplomate me histori aktive në këtë rrugëtim. Në rolin e saj të tanishëm, prezenca e saj është mundësi e shkëlqyeshme për Republikën e Kosovës. Me znj. Pierce diskutuam për zhvillimet më të fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi krizën institucionale që po e pengon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës. Nënvizova domosdoshmërinë urgjente për krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”.
“Gjithashtu, fola edhe për nevojën e rrugëtimit të shpejtë të Kosovës në familjen euroatlantike. Duke parë mundësinë e mirë gjeopolitike, duke parë hapat dhe interesin evropian ndaj Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kosova duhet të vendosë veten në rresht të tyre; jo në ngecje me Serbinë. Për këtë na duhet një qeveri e përgjegjshme, që shfrytëzon mundësitë historike. I shpreha znj. Pierce mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Republikës së Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin tonë ndërkombëtar”, ka thënë Abdixhiku. /Gazeta Express