Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në drekën tradicionale të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor
Osmani po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, në këtë takim, u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Aty Osmani ka kërkuar statusin e vendit kandidat për Kosovën.
“Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve” citohet Osmani.
Tutje, ajo para shefit te diplomacisë europiane ka ngritur edhe cështjen e masave të BE’së të cilat i janë vendosur Kosovës për shkak të veprimeve të Qeverisë në Veri. Sipas saj, masat nuk i kontribuojnë dialogut.
“Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve” thuhet në njoftimin e Presidncës.
BE i ka bërë thirrje Kosovës që të implementojë marrëveshjen e Ohrit sipas një propozimi që Borell ia ka prezantuar Kryeministrit Kurti më 14 shtator. Propozimi parasheh fillimin e punës për krijimin e Asociacionit. Kryeministri Kurti e ka refuzuar këtë duke akuzuar BE’në për koordinim me Serbinë. Kjo çështje nuk është adresuar në njoftimin e Presidencës.
“Presidentja Osmani tha e Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme” thuhet në njoftim
“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar Presidentja Osmani. Gazeta Express.