Takimi Kurti-Limaj në fundjavë, deputetja e Nismës beson se javën e ardhshme zgjidhet ngërçi - Gazeta Express
string(91) "takimi-kurti-limaj-ne-fundjave-deputetja-e-nismes-beson-se-javen-e-ardhshme-zgjidhet-ngerci"

Lajme

Gazeta Express

17/07/2025 9:49

Takimi Kurti-Limaj në fundjavë, deputetja e Nismës beson se javën e ardhshme zgjidhet ngërçi

Lajme

Gazeta Express

17/07/2025 9:49

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj do të takohen këtë fundjavë.

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku tha se nuk është e sigurt nëse “do të jetë të shtunën apo të dielën”, por u shpreh optimiste duke thënë se “besoj që do të kemi një epilog pozitiv”.

“Java e ardhshme ndoshta ka me na dalë me një rezultat pozitiv edhe më frytëdhënës. Po dua të shpresoj edhe po besoj që do të buzëqeshim si vend dhe do ta shohim vendin me institucione”, tha ajo mbrëmë në “InfoNata” në Tëvë1.

E pyetur nëse Nisma do të bëhet pjesë edhe e qeverisë, e jo siç kishin thënë më herët se duan vetëm postin e kryeparlamentarit, ajo tha se këto çështje do të sqarohen në takimin Kurti-Limaj.

“Mendoj që janë detaje që kanë me qenë në tavolinën e bisedimeve që kanë me qenë në mes të dy liderëve dhe në këtë fazë ndoshta nuk është mirë të ngrisim tema që ka kohë për t’i diskutuar”, tha ajo.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha të martën se me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti – të cilit iu referua si “Kryeministër” – do të tentojnë ta gjejnë një zgjidhje.

“Do të bisedoj me Kryeministrin për të ardhur deri te një moment i zgjidhjes së situatës. Natyrisht t’i shohim mundësitë çka varet nga ai dhe çka varet nga ne që të tejkalohet kjo krizë”, tha ai.

Limaj tha se “njerëzit duhet të flasin, duhet të marrin përgjegjësi” dhe se Nisma është e hapur për bashkëpunim.

Ai tha se “Kosova ka votuar për qeverinë, për të pasur një kryeministër, një qeveri”, ndërsa shtoi se do ta ndihmojë LVV-në për ta bërë atë.

“Është partia e parë që ka marrë shumicën e votave dhe ne po duam dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë për përmbushjen e vullnetit të shumicës”.