Zyrtari i lartë i gjerman, Sekretari Parlamentar i Shtetit më Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Johann Saathoff, ka qëndruar në një vizitë në Kosovë që nga 22 gushti deri me datën 24. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, në faqen zyrtare në ‘facebook’, ka njoftuar për aktivitetet e Saathoff. Ndonëse ka qëndruar për dy ditë në Kosovë, Saathoff s’ka pasur ndonjë takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Lidhur me këtë, Gazeta Express, kanë dërguar pyetje në adresë të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë. Ndonëse një takim mes Sekretarit Saathoff dhe Kurtit ishte parashikuar të ndodhte përgjatë qëndrimit të zyrtarit të lartë gjerman në Prishtinë, nga Ambasada kanë konfirmuar se i njëjti nuk është mbajtur, për siç thonë ata “arsye logjistike”.
Megjithatë, Saathoff kishte bërë një vizitë në Prizren me ministren në detyrë, Rozeta Hajdari dhe kishte takuar edhe zëvendëskryeministrin në largim, Besnik Bislimin.
“Për arsye logjistike, takimi i paraparë me Kryeministrin në largim Kurti nuk mundi të realizohej”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësja e Ambasadës gjermane në Prishtinë, Catalina Heine.
Ndërkohë në media të enjten më 28 gusht është publikuar një letër që Zyra e BE-së, në emër të Brukselit zyrtar dhe shteteve anëtare ia kishte nisur Kurtit më datën 8 gusht, për t’ia bërë të qartë që zyrtarë të niveleve të larta të BE-së dhe shteteve anëtare nuk do t’i shkojnë për takime në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës derisa s’do të ketë një qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vendimi i Gjykatës Supreme që kishte konstatuar shkelje ligjore në mbajtjen e njëhershme të dy pozitave, në qeveri dhe Kuvend, është arsyeja e një vendimi të tillë.
Nuk dihet nëse dështimi i takimit mes Saathoff dhe Kurtit lidhet me letrën që shefi i Zyrës së BE-së, Aivo Orav, ia ka nisur Albin Kurtit për t’i treguar që s’do ta takojnë në objekt të Qeverisë pas vendimit të Gjykatës Supreme që gjeti se ushtrimi i dy pozitave, Kuvend dhe Qeveri, në të njejtën kohë, përbën shkelje ligjore.
Gazeta Express ka dërguar disa pyetje shtesë në adresë të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për të pyetur nëse i kanë kërkuar Kurtit takim jashtë objektit të Qeverisë dhe nëse dështimi i takimit lidhet pikërisht me letrën e shefit të Zyrës së BE-së, megjithatë deri në publikimin e tekstit s’ka marrë ndonjë përgjigje./GazetaExpress/