Një stuhi e fuqishme që po i afrohet Filipineve është përshkallëzuar në statusin e super tajfunit, ndërsa një nga rajonet ishullore tashmë po përballet me kushte kërcënuese për jetën.
Sipas shërbimit meteorologjik Pagasa, tajfuni Fung Wong pritet të sjellë erëra të forta me shpejtësi deri në 185 kilometra në orë, si dhe reshje të dendura shiu në disa zona të vendit gjatë ditës së diel.
Ishulli Catanduanes, që ndodhet në brigjet lindore të Luzonit, ishte i pari që u godit drejtpërdrejt nga stuhia në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Tajfuni Fung Wong, i njohur në Filipine si Uwan, vjen vetëm pak ditë pas stuhisë Kalmaegi, e cila shkaktoi shkatërrime të mëdha dhe la pothuajse 200 persona të vdekur.
Disa shkolla kanë anuluar mësimet e së hënës ose i kanë kaluar ato në format online, ndërsa Philippine Airlines ka anuluar disa fluturime lokale përpara mbërritjes së tajfunit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se tajfuni pritet të dobësohet ndjeshëm pas hyrjes në tokë, por do të mbetet i fuqishëm ndërsa kalon mbi ishullin Luzon.