Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria e nisi mbrapsht Reformën e Administratës Publike pas vendimit të Qeverisë për themelimit të Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike
Ai tha se kjo “është një devijim i plotë nga parimet bazë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale për reforma në administratë të shtetit”.
“Reforma e Administratës Publike ka adresë të qartë, ajo është tek ministria përkatëse dhe përgjegjëse, rishatazi e themeluar: Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Pikërisht aty duhet të qëndrojë përgjegjësia, udhëheqja dhe zbatimi i saj. Themelimi i një Këshilli të ri ministror për këtë qëllim është i panevojshëm, kur dihet se vetë Kabineti Qeveritar tashmë ekziston si organ kolegjial vendimmarrës. Sugjerimi ynë është forcimi i rolit të kësaj ministrie, e cila me të drejtë është rithmeluar dhe është përshëndetur si hap pozitiv. Mirëpo, me këtë vendim po i zbehet dhe po i shpërndahet përgjegjësia”.
Tahiri tha se kjo s’është reformë, por regres.
“Nuk kemi më një adresë të qartë përgjegjësie, por një trup kolegjial ku përgjegjësia humbet dhe llogaridhënia zbehet. Që në start po projektohet dështimi dhe nënvlerësimi i një ministrie kyçe për shtetin. Reforma nuk mund të fillojë mbrapsht!”.