Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se opozita nuk ka agjendë dhe se ata janë në agjendë të Albin Kurtit.
“Situtata aq sa është në faj kushtimish të Albinit, po ashtu është në fajin tonë sepse ne nuk kemi agjendë, opozita nuk ka agjendë dhe ne jemi në agjendë të Kurtit”, tha ai për Gazetën Blic.
Sipas tij, bëhet fjalë për një plan të menduar mirë nga Kurti, që synon ta vendosë opozitën në pozicion defanziv dhe njëkohësisht ta anashkalojë Vjosa Osmani nga gara për presidente.
Ai tha se qëllimi i parë i Kurtit është të mos e validojë Osmanin si kandidate, ndërsa i dyti të shmangë zgjedhjet, pasi ndarja politike mes tij dhe Osmanit, sipas Tahirit, do ta dëmtonte Lëvizja Vetëvendosje.
“Në realitet ky është një plan mirë i mendum, me vendos edhe opozitën në një pozicion defanziv por edhe me tejkalu Vjosën prej asaj zyre. Qëllimi i Kurtit i pari është mos me validu Vjosën si kandidate, dhe e dyta është mos me shku në zgjedhje për shkak se nuk i konvenon Vjosa me qenë në pozicion politik se ndarja e Kurtit dhe e Vjosës, e dëmton LVV. Tu i pas dy qëllime strategjike, ai neve na ka bë pjesë të lojës, e në popull neve po na bie faji. E para popullit na jemi në një pozicion bukur të keq, për këtë arsye unë mendoj që nuk jemi vonë, me pas një qëndrim, mu ulë me diskutu se cka po bëjmë, nëse shkojmë ndamas, ndamas shkojmë, në rregull jemi”, u shpreh ai.
Në fund, Tahiri theksoi se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi shumicën parlamentare.
“Kosova i ka tri probleme të mëdha që lidhen me presidentin, e para është raporti me Serbinë, e dyta, dy qëllime strategjike të rolit të Presidentës, është NATO dhe Këshilli i Evropës, dhe e treta që nuk është ushtru në këto 5 vite, është dikush që e bie një unitet, që ka mundësi me të thirrë e me fol. Këto tri atribute i ka pas kryetari Haradinaj, më vjen keq që ajo kandidatur nuk ka ndodhë, tash përgjegjësia dihet ku është, është te shumica edhe ata që kanë votë më shumë”, përfundoi ai./GazetaBlic/