Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me situatën në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri tha se Kushtetuesja ka folur qartë që vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.
Ai ka thënë se Kushtetuesja e bëri të qartë e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues.
Postimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.
Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike.
Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.
Në cilësinë time si deputet, kam dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet.
Gjykata konfirmoi se:
1. Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike;
2. Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë;
3. E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues;
4. Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik;
5. Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit;
Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt.
Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme.