Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri thotë se Kosova ndodhet në një gjendje të brishtë institucionale dhe se rruga e vetme për dalje nga kriza është një marrëveshje politike ndërmjet partive kryesore.
“Është prioritet strategjik për shtetin tonë që së pari të dalë nga kjo gjendje e bllokuar tash tetë muaj, përmes një rruge të shpejt dhe në pajtim me Kushtetutën. Për mendimin tim, e vetmja rrugëdalje është të arrihet një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë që rrjedhimisht mundëson edhe konstituimin e parlamentit…”, ka deklaruar Tahiri për IndeksOnline.
Ajo shton se partitë PDK, LDK, VV dhe AAK kanë obligim kombëtar të arrijnë këtë zgjidhje, për të kthyer Kosovën në një shtet funksional.
“Partitë kryesore parlamentare, PDK, LDK, VV dhe AAK duhet ta bëjnë këtë zgjidhje, e kanë obligim politik dhe kombëtar. Kosova është kthyer mbrapa, është bërë shtet i brishtë, duhet të bëhet kthehet një shtet funksional për të mirën e popullit, të aleancave dhe integrimin euro-atlantik. Të gjithë aktorët politik duhet të binden se rezultati i zgjedhjeve nacionale të shkurtit ka dalë gjysëm gjysëm për dyja palët, në një anë VV dhe në anën tjetër tre partitë që dikur ishinë në opozitë, prandaj në këso situata vetëm kompromisi politik e sjellë rrugëdaljen.”, thekson ajo.
Sipas Tahirit, për këtë bllokadë politike faji është te Kurti.
“Faji kryesor është te Kurti, i cili po e mbanë peng Kosovën vetëm pse spo mund të bëhet kryeministër. Me fjalë tjera Kurti krejt mendjen e ka te pushteti, por jo te shteti dhe as te populli, i cili po vuan nga gjendja e mjerueshme ekonomike, rritja e çmimeve çdo ditë. Po e theksoj kjo ëtë rrugëdalja e vetme, sepse pa konstituimin e parlamentit nuk mund të kemi zgjedhje të parakohshme sepse sipas Kushtetutës vetëm parlamenti mund t[ shpallë zgjedhjet e parakohshme. Po ashtu, zgjedhjet nuk sjellin zgjidhje patjetër, ja kjo situatë ku jemi është një shembull, patëm zgjedhje por skemi zgjidhje. Po ashtu, Kosova me probleme të brendshme e të jashtme nuk mund të përballojë dy palë zgjedhje radhazi. Mirëpo, Kurti është komod në qeverinë ilegale po, buxhet shtetëror po, tendera po. Mirëpo Kosova nuk e ka merituar këtë gjendje të bllokuar, ilegale dhe antikushtetuese, sepse Kosovën e bëmë me shtet me shumë përpjekje politike, ushtareke, diplomatike dhe sakrificë sublime të popullit shqiptar”.
Sipas saj, zgjedhjet e reja nuk janë automatikisht zgjidhje.
“Po e theksoj kjo është rrugëdalja e vetme, sepse pa konstituimin e parlamentit nuk mund të kemi zgjedhje të parakohshme sepse sipas Kushtetutës vetëm parlamenti mund t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme”, vlerësoi tutje Tahiri.
Tahiri është pyetur nëse partitë po e përdorin ngërçin si mjet presioni për të shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Nuk mund ta them, por edhe nëse e bëjnë e kanë gabim. Mjafton të mendojnë se Kosova në planin e jashtëm, Kosova është nën sanksionet e BE-së tash e dy vjet, është i izoluar ndërkombëtarisht…”.
Ajo vlerëson se dështimet strategjike të qeverisë Kurti e kanë sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme ndërkombëtare dhe se liderët institucionalë janë injoruar nga partnerët kryesorë.
“Në kohën kur unë bëja diplomacinë në kohë të vështira për të kërkuar përkrahje për pavarësi, bota na admironte… Prandaj sa më shpejt duhet marrë fund kjo periudhë e dështimeve…”, deklaroi ajo.
“Pa konstituimin e kuvendit nuk mund të ketë as shpërndarje të saj, sepse sot kemi parlament të pakonstituar. Faktikisht jemi në situatë të bllokuar.
Duke folur për përgatitjen e institucioneve për zgjedhje të reja, Tahiri vlerësoi edhe rolin e gjyqësorit.
“Gjyqësori është shtylla kryesore e shtetit, ashtu edhe vepruan në këtë periudhë krize politike, si Gjykata Kushtetuese si Gjykata Supreme, pavarësisht sulmeve politike që patën nga Kurti e VV-ja, madje një kohë edhe presidentja iu bashkua këtij kori”.
Tahiri u shpreh se Kosova është shtet sovran dhe se për zgjedhjet vendosin institucionet vendore. Sidoqoftë, ajo komentoi edhe situatën në dialogun me Serbinë:
“Ndërsa sa i takon Dialogut të Brukselit është i bllokuar nga të dyja shtetet, sepse edhe vet Serbia është bllokadë me protesta masovike të studentëve për ta rrëzuar regjimin e Vuçiqit, tashmë gati një vit”.
Në tërësi, ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri bën thirrje për një zgjidhje politike me kompromis, formim të një qeverie funksionale pro-perëndimore, dhe kthim të besimit ndërkombëtar ndaj Kosovës, duke theksuar se shteti ndodhet në një krizë serioze kushtetuese dhe politike, që nuk mund të tejkalohet pa vullnet dhe përgjegjësi nga të gjithë aktorët.
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...