Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se derisa “në të gjithë kontinentin europian sot vetëm tri shtete janë nën sanksione nga BE dhe SHBA”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “ka filluar të shqetësohet” për veprimet e Rusisë në Estoni.
Ai tha se ndërkohë vetë Kosovën e ka vendosur në anën e Rusisë për shkak të sanksioneve.
“Albin Kurti, që prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione, sot flet për shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia”, ka shkruar Tahiri.
Rusia shkeli hapësirën ajrore të Estonisë duke çuar në dënimin e shteteve aleate të NATO-s. Edhe Kurti tha se Kosova qëndron në anën e Estonisë.
Postimi i plotë i Tahirit:
Të nderuar qytetarë,
Në të gjithë kontinentin evropian sot vetëm tri shtete janë nën sanksione nga BE dhe SHBA:
Kosova e qeverisur nga Kurti
Rusia e qeverisur nga Putini
Bjellorusia e qeverisur nga Lukashenko
Megjithatë, kryeministri i izoluar Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj.
Albin Kurti, që prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione, sot flet për shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia.
* 600 milionë euro të BE-së kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të sanksioneve.
* SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar Qeveria Kurti.