Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur për ngjarjen që ndodhi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre pas kërkesës së këtij subjekti për një pauzë 10-minutëshe.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka pohuar se ishin të bindur se pauza do t’u jepej, por ajo nuk iu mundësua.
“Për çudi, një gjë e tillë nuk na u mundësua dhe u abstenua. Kemi qenë të bindur se do të na jepej një pauzë prej dhjetë minutash. Fatkeqësisht, siç e patë, një gjë e tillë u pamundësua dhe, në mënyrë arbitrare, u përfundua seanca. Unë mendoj se sot kryetari i Kuvendit ka mundur të ishte çështje e përfunduar, pra të ishte i zgjedhur.”
“Dhjetëminutëshin e kam kërkuar aty për aty, pra para se të vinte në votim kandidati i fundit që u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje. Me kërkesë të grupit tonë parlamentar, kërkuam një pauzë dhjetëminutëshe për një konsultë – t’i ftonim të gjitha grupet parlamentare për një propozim që e kishim. Normalisht, ajo do të mund të ishte një çështje e përfunduar edhe për nënkryetarët”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës vazhdimisht ka ofruar bashkëpunim për të zgjidhur çështjen e ngërçit në Kuvendin e Kosovës, por sipas tij, ata nuk janë deputetë të kryetarit të LVV-së që të drejtohen nga ai sa herë që ai dëshiron.
“Ne nuk jemi deputetë të udhëhequr nga Albin Kurti, ne jemi deputetët të Grupit Parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe si tillë dhe normalisht nuk jemi të gatshëm aty të votojmë sa herë do Zotëri Kurti, apo sa herë të tjerëve iu teket të për diçka të tillë. Ne normalisht që e kemi ofruar edhe konsensusin edhe bashkëpunimin tonë pa u kërkuar fare vetëm që të dalim nga ky ngërç, por kur janë kaq të papërgjegjshëm dhe kur nuk e kanë vullnetin”.
“Ju e dini se si PDK-ja i është përgjigjur të gjitha kërkesave të tyre – qoftë kur takimi është ftuar nga z. Kurti, qoftë nga kryesuesi i seancës. Pra, kemi qenë jashtëzakonisht të përgjegjshëm. Sot, po ashtu, kemi qenë të bindur se do të merrnim një pauzë prej 10 minutash dhe do të diskutonim për çfarë kishim ne. Pastaj do të ktheheshim për të votuar dhe besoj se ajo do të ishte çështje e përfunduar”, ka thënë Tahiri