Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se Kosova po përballet me një nga sfidat më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë, duke e lidhur këtë me procesin e zgjedhjes së presidentit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për veprime jokushtetuese, mungesë të konsensusit dhe përdorim të gjuhës fyese ndaj opozitës.
Ai tha se si pasoj e kësaj vendi është në tendencë që të cenohet rendi kushtetues.
“Republika e Kosovës, ka qenë duke u sfiduar në sfidën më të madhe prej kohës kur është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Pra tendenca që e kemi parë, që në mënyrë jo kushtetuese me vazhdu zgjedhja e presidentit, sigurisht që ka qenë shqetësuese edhe për neve edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, edhe për të gjitha subjektet tjera opozitare, mirëpo konsideroj edhe për përfaqësuesit e shoqërinë civile, për qytetarët e Republikës së Kosovës, po edhe për juve”, tha ai.
“Çështja që është shumë e rëndësishme që jemi sot këtu për me folë, zgjedhja e presidentit, është preokupim i të gjithëve. Nuk është që kam dashtë dhe kisha dashtë me kanë në konferencë për këtë temë sonte këtu bashkë me juve, po ka qenë një imponim dhe një rrugë e parë që ne e kemi alarmuar në vazhdimësi edhe në komunikimet tona publike se zotëri Kurti me strategjinë e tij, energjinë e tij dhe veprimet e tij që i ka bërë sidomos pas datës 14 shkurt, sepse ne e kemi ditë që mandati i presidentes përfundon në muajin mars, kanë qenë në formë që me pamundësua që kjo legjislaturë me ndërtua shumicën dhe me mbërri konsensusin e mjaftueshëm dhe vendi me pasë në kohën e vet presidentin e zgjedhur të Republikës së Kosovës.
Pra ne kemi pasur qasje që nga fillimi konstruktive, pozitive, i kemi respektuar të gjitha subjektet që kanë qenë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, e kemi pranuar rezultatin e zgjedhjeve, kemi qëndruar në opozitë, ndërsa në tema dhe çështje që kanë qenë interes i vendit, interes i Kosovës, kemi treguar konstruktivitet”, tha ai.
“Ai në vazhdimësi ka përdorur gjuhë fyese ndaj partive opozitare”, tha ai.