Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media, ka paraqitur një analizë të strukturës së kabinetit qeveritar.
Për këtë, ai tha se 453 persona janë emëruar politikisht, derisa pati kritika edhe për kryeministrin Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Po flasim për madhësinë e qeverisë, e cila mos asgjë tjetër përshkruan një qeveri totalisht fiktive, ministri fiktive dhe akomodim të partisë në pushtet në qeveri. Me një kabinet i cili është një ndër më të mëdhenjtë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në krahasim me numrin e popullatës është padyshim më i madh se i Kinës, se i Indisë, se i Pakistanit. Dhe tani më lejoni të paraqes para jush analizën tonë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar rregulloren e saj me numër 04/2026, ku ka prezantuar strukturën e ministrive, anëtarët e kabinetit dhe mbi të gjitha ka krijuar ministri të cilat nuk kanë portofol real, po kanë portofol fiktiv me qëllimin e vetëm për të rritur numrin e ministrive, për të pasur sa më shumë staf të emëruar politik dhe në të njëjtën kohë për të akomoduar agjendën e tyre partiake. Kur e shohim këtë rregullore, e shohim po ashtu një ndarje e cila nuk reflekton sot nevojën e Kosovës. Po më lejoni të bëj një prezantim para jush: kjo është analiza e strukturës së kabineteve qeveritare, e cila kur e shohim kornizën ligjore, flasim kështu: Kryeministri: Ka deri 24 këshilltarë politikë, prej tyre 10 të jashtëm dhe 15 staf. Zëvendëskryeministrat: Kanë 8 deri në 11 këshilltarë, prej tyre janë pesë të jashtëm dhe gjashtë staf brenda kabineteve të veta. Ministrat: Kanë deri në shtatë këshilltarë politikë, tre të jashtëm dhe katër staf. Zëvendësministrat pa portofol: (Pra që nuk ekzistojnë ministrat që kanë ministri, pra ata që janë pa portofol) kanë deri në dy staf. Supozimi analitik është ky: 19 ministri dhe minimum dy zëvendësministra për ministri, që përbëjnë gjithsej 38. Kjo është struktura bazë ku paraqitet numri i pozicioneve kryesore në qeveri: normal është kryeministri, tre zëvendëskryeministra, 19 ministrat, 38 zëvendësministra, shikoni, 57 anëtarë të stafit politik”, tha ai.
Deputeti Tahiri, vazhdoi edhe me rpezentimin e ministrave dhe zwvendwsministrave.
“Po flasim për 19 ministra. Pastaj po flasim në ligjin për qeveri janë nga dy.. dy zëvendësministra. Pra jemi duke folur 19, plus 19 minimum, plus disa, mbi 40 autoritete që kanë të drejtë nënshkrimi. Pra ne kur nuk e kemi sfiduar çështjen e zëvendësministrit, nuk e kemi sfiduar se kanë qenë 15 ministri. Dhe tash, diku rreth 40 njerëz në këtë qeveri, varet prej portofolios, prej detyrës që i jep ministri, ka të drejtë nënshkrimi për një situatë të caktuar. Domethënë a jeni duke e parë për çfarë katrahure politike, për çfarë madhësie të një kabineti politik po flasim? Po shkojmë brenda se këto i sqaruam. Më lejoni pak të dal tek kapaciteti i kabineteve. Kryeministri, ka deri në 49 këshilltarë, dhe staf. A jeni duke e kuptuar? 50 njerëz, duke përfshirë këshilltarë politikë, këshilltarë të jashtëm, 15 staf i emëruar politik, ata emërohen, mendojnë nën parti i thonë shko, bëhu shofere, asistente… 50 njerëz, 49 staf i ka në kabinetin e tij. A ju kujtohet çfarë thoshte? Ky kryeministri s’ka nevojë… për pak këshilltarë ka nevojë. 50 i ka bërë, me rregullore pra, me këtë rregulloren këtu. Po flasim te zëvendëskryeministrat. Mesatarisht 20-22. Ministrat deri në 14 këshilltarë dhe staf. Zëvendësministrat, dy, tre, nënpost administrativ”, tha ai.
Tahiri tha se Qeveria Kurti ka 453 njerëz të emëruar politikisht.
“Kapaciteti total i kabineteve sipas nivelit të numrit gjithsej të këshilltarëve dhe stafeve: 49 kryeministri. 64 tek zëvendëskryeministrat (total 2 plus 1 në zyrën e kryeministrit). 238 të emëruar politikë me një nënshkrim nëpër ministri. Te zëvendësministrat, 102. Shihni, kjo qeveri i ka 453 njerëz që mundet me i emëru politikisht. Nuk po e thotë Besnik Tahiri. Po e thotë rregullorja 04/2026, e cila për mendimin tim përbën numrin më të madh, madhësinë më të madhe të emërimeve politike të kabineteve që e ka dikush”, u shpreh ai.
Tahiri tregoi edhe arsyen e prezantimit të kësaj analize, duke shtuar se vendi po gjendet në kohë krizash.
“Qytetarë të Republikës së Kosovës, arsyeja pse po e prezantojmë sot këtë analizë krahasuese faktike është e thjeshtë: Përderisa sot qytetari i Kosovës është duke u ballafaquar me probleme substanciale të jetës së vet, me problemin për të lidhur muajin me muaj, me ekzistencën e vet e të familjes, me kërkesën për një vend pune e për një jetë më të dinjitetshme, sot kjo është madhësia e qeverisë aktuale. Ajo akomodon për herë të parë në historinë e Kosovës një numër kaq të madh të emëruarve politikë. Dhe mbi të gjitha, është kjo qeveri që ende s’ka prodhuar program, ende nuk e dimë për çka qëndron, veçse e dimë që ditë për ditë emëron zëvendësministra e këshilltarë, duke akomoduar njerëzit e vet politikë e partiakë, pa u shqetësuar për problemet serioze që lidhen me inflacionin, me ngritjen e çmimeve dhe me mungesën e perspektivës në këtë vend”, shtoi ai.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi foli edhe për kuotën gjinore dhe kërkoi që të respektohet.
Ky është kabineti qeveritar, gjithashtu kemi një kabinet më diskriminues, sepse nga 21 anëtarë, sot i kemi vetëm katër gra ministre, ku deri dje nëpër fushata kanë folur që, për të drejtat e grave dhe sot i kemi vetëm katër gra ministre. I kemi më pak se 20% të kabinetit qeveritar. Andaj unë kërkoj nga qeveria që të respektohet barazia gjinore dhe gjithashtu një kabinet i cili ka 21 anëtarë prej ministrave të plotësohet në bazë të kuotës gjinore. Gjithashtu ne jemi këtu për të parë se qeveria Kurti është më pak serioze në këtë aspekt sepse ne e dimë shumë mirë se sa kanë folur për të drejtat e grave gjatë fushatës, ne e dimë shumë mirë se çka kanë bërë për të drejtat e grave dhe gjithashtu nuk është respektuar ligji për barazi gjinore. Andaj sot kërkoj nga qeveria Kurti të bëjë një reflektim dhe të respektohet barazia gjinore./EO/