Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj për buxhetin faktik të vitit 2023 në Kuvend tha se raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se 70% e buxhetit është zbatuar në muajin e fundit të vitit. Në fjalën e saj, Tabaku tha se shqiptarët janë sot më keq se vite më parë dhe se paga reale u ul në 2023-shin. Shqipëria theksoi ajo, pati krizë jo prej shkaktarëve të jashtëm, por prej modelit të saj ekonomik.
“Shqiptarët e mbajnë mend vitin 2023 si viti kur u rritën më shumë çmimet. Çmimet e shportës u rritën me 29.5%”, deklaroi Tabaku.Tabaku foli dhe për gjoba të tatimeve dhe bashkisë së Tiranës ndaj biznesit.“Është çmendur qeveria dhe bashkia e Tiranës duke vënë gjoba.
Nuk e mbajnë shtetin normalisht me një funksion normal të taksave, janë duke operuar vetëm me gjoba. Kjo për t’i falur në vit elektoral. Kjo tendencë duhet të marrë fund menjëherë! Ky model ekonomik bazohet te pastrimi i parave dhe ndërtimi, kështu ka qenë dhe në vitin 2023. Është kthyer buxheti, ekonomia në funksion të elitave”, deklaroi ajo.