Tabaku: Ja fituesi i paracaktuar i tenderit Milot -Fier - Gazeta Express
string(53) "tabaku-ja-fituesi-i-paracaktuar-i-tenderit-milot-fier"

Tabaku: Ja fituesi i paracaktuar i tenderit Milot -Fier

Gazeta Express

09/07/2020 15:22

Disa ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi hapjen e garës për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë rrugën Milot-Fier, ndërkohë sipas të dhënave të publikuara nga Partia Demokratike, gara jo vetëm nuk është hapur, por tenderuesi ishte paracaktuar.

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka publikuar një video përmes të cilës ka sqaruar se si po kryhet një tjetër aferë korruptive nga qeveria shqiptare me këtë aks rrugor mjaft të rëndësishëm dhe me një vlerë të deklaruar që kap shifrën e 1.2 miliardë urove.

Lexo Edhe:

Sipas PD-së, rruga me gjatësi 115 km nga të cilat 62 km janë të përfunduara, është një koncesion fitues i paracaktuar dhe bëhet fjalë për kompaninë GEK Terna, ndërsa shqiptarët sipas Tabakut do të paguajnë për 35 vjet me radhë PPP-në e radhës.

“Rruga 1.2 miliardë euro, Milot-Fier, e gjatë 115 km, ku 62 km janë të përfunduara, është koncesion me fitues të paracaktuar. Ajo është kompania greke GEK Terna. Gjithçka tjetër është gënjeshtër për të mbuluar hajdutin, siç ka ndodhur këto 7 vjet me çdo projekt PPP, të ideuar dhe zbatuar nga Rama. Një tjetër histori vjedhje me një barrë në kurrizin e shqiptarëve të varfëruar që do të paguhet për 35 vjet me radhë si PPP. Fakte të reja pse fituesi është paracaktuar. ”, shkruan Tabaku.

Ndërkohë, ministrja Belinda Balluku ka dhënë sqarimet e saj në lidhje me tenderin në fjalë, si dhe ka treguar arsyet pse tha disa ditë më parë se gara do të hapej publikisht ndërkohë që në faqen e tenderimeve nuk ekziston një publikim i tillë.

Balluku tha se ka gjetur mirëkuptimin e kryeministrit u ka kërkuar ekspertëve të ndalonin për ë dëgjuar me vëmendje thekson ajo, deklaratat që u bënë mbi këtë tender, si dhe ka analizuar se ‘mos ndoshta kishit ndonjë fije të vërtetë’.

Balluku nga ana tjetër ka akuzuar opozitën se ka fryrë shifrat dhe çmimet duke paralajmëruar se këtë çështje do ta zgjidhë gjykata.

“E kam ndaluar unë hedhjen e dokumenteve në APP, sepse pak minuta pas lancimit të këtij projekti ju u turrët për të hedhur zift. U kërkova ekspertëve të ndalonin, kërkova mirëkuptimin e kryeministrit dhe dëgjuam me vëmendje deklaratat tuaja dhe morëm dhe analizuam se mos ndoshta kishit ndonjë fije të vërtetë, apo ndonjë numër që na paska shpëtuar ne apo ekspertëve ndërkombëtarë.

Hill International, Dellotite, këta janë ekspertët tanë që po punojnë për ne, po kush janë ekspertët e qametit që thonë se projekti është i fryrë? Kjo rrugë kushton 1 miliard e 118 milionë euro, do të vijë nga investitori privat përmes një gare ndërkombëtare për të ardhur me investimin më të madh dhe çmimin pagesën e rrugës më të ulët. Ua thashë përgjigjen edhe pse ju nuk meritoni asnjë përgjigje. Kush jeni ju që abuzoni me çmimet, gjithcka në këtë republikë duhet ta zgjidhim në gjykatë? 17.5 euro udhëtimi? Kush jeni ju që e nxirrni këtë çmim?”, tha Belinda Balluku gjatë fjalës saj në foltoren e Kuvendit.