Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të, apo 15 vende më mirë sesa vitin paraprak. Përmirësimi i pikëve të Kosovës mund të shpjegohet sidomos me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka treguar Pavol Szalai, drejtor i Byrosë së Pragës të “Reporterët pa Kufij”, në një intervistë për emisionin Pressing në T7.
Në këtë intervistë Szalai flet për përmirësimin e Kosovës në raportin e fundit dhe arsyet që çuan në këtë renditje.
Intervista e plotë:
Z. Pavol Szalai, ju falënderojmë shumë që keni gjetur kohë të flisni me ne. Kosova është përmirësuar për 15 vende, duke arritur në pozitën e 84-të në indeksin më të fundit të Reporterëve pa Kufijë. Çfarë reflekton realisht kjo rritje në aspektin e lirisë së mediave në terren?
Nuk ka në fakt arsye për festë. Kosova thjesht është kthyer në nivelin e saj të mëparshëm të ulët, para vitit 2025. Nëse shikojmë pikët, të cilat maten në një shkallë nga zero në njëqind, Kosova ka 56 pikë, dhe këtë vit është rritur për rreth 3 pikë përqindje.
Për më tepër, rritja e renditjes së Kosovës në listën prej 180 shtetesh mund t’i atribuohet rënies së lirisë së shtypit në vende të tjera. Kjo vlen për Bosnjën dhe Serbinë, të cilat tani renditen më keq se Kosova.
Megjithatë, së bashku me Serbinë, Bosnjën dhe Greqinë, Kosova mbetet në fund të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit në zonën e Ballkanit të BE-së.
Pavarësisht këtij përmirësimi, Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me performancën më të dobët në Evropë dhe mbetet nën nivelin e saj të viteve 2023 dhe 2024. Cilat janë faktorët kryesorë që qëndrojnë pas kësaj situate?
Shikoni, mendoj se liria e shtypit në Kosovë është realisht nën një presion të fortë. Në aspektin ekonomik, ajo kufizohet nga financimi i paqëndrueshëm i transmetuesit publik, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave, si dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët. Nëse i referohemi indikatorit politik, ai gjithashtu mbetet i ulët. Kjo lidhet me sulmet e shpeshta politike ndaj gazetarëve.
Së fundi, është edhe çështja e sigurisë. Ky progres i Kosovës është, deri diku, rezultat i faktit që ka kaluar një kohë e gjatë që nga sulmet e mëdha fizike ndaj gazetarëve në vend. Megjithatë, gazetarët vazhdojnë të jenë viktima të një ngacmimi të përhapur online, i cili shpeshherë nxitet pikërisht nga sulmet politike.
Z. Szalai, vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Komisionin e Pavarur të Mediave duket se ka ndikuar në pikët e këtij viti. Sa i rëndësishëm ishte ky vendim për forcimin e lirisë së mediave këtu në Kosovë?
Në të vërtetë, përmirësimi i pikëve të Kosovës mund të shpjegohet sidomos me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave cenonte pavarësinë e autoriteteve mediatike.
Ky është një vendim historik dhe tregon se sistemi i drejtësisë, deri në një masë, ka kapacitetin për të mbrojtur lirinë e mediave. Kjo vlen edhe për gjykatat e tjera, të cilat kanë treguar gatishmëri për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e medias ndaj padive strategjike (SLAPP), si dhe për të sjellë drejtësi në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Z. Szalai, në të njëjtën kohë ju keni ngritur shqetësime për sulmet politike ndaj gazetarëve dhe emërimet e fundit në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Radiotelevizionin e Kosovës. Sa serioze janë këto çështje për pavarësinë e mediave?
Po, për sulmet politike tashmë kam folur, dhe këtë çështje e kemi ngritur edhe në takimin e fundit me kryeministrin Albin Kurti. Sa i përket emërimeve të fundit në bordin e Radiotelevizioni i Kosovës dhe në Komisioni i Pavarur i Mediave, ato ngjallin shqetësime, sepse shumica – në mos të gjithë – këta persona konsiderohen të afërt me partinë në pushtet, gjë që nuk garanton pavarësi. Kjo lë të kuptohet se presionet politike mbi transmetuesin publik dhe autoritetin rregullator të mediave ka gjasa të vazhdojnë.
Ju përmendët takimin tuaj me kryeministrin Albin Kurti që ndodhi më shumë se një muaj më parë. Cilat ishin mesazhet kryesore që përcollët dhe a shihni një vullnet real nga qeveria e tij për t’i adresuar këto shqetësime?
E vlerësoj faktin që ai pranoi të takohej me ne për një kohë relativisht të gjatë, dhe shpresoj që ky takim të ketë qenë i dobishëm. E di që kanali i komunikimit që kemi krijuar është aktiv.
Megjithatë, është zhgënjyese që sulmet politike ndaj gazetarëve nga shumica në pushtet vazhdojnë. Mendoj se na duhet një gjest i fortë nga kryeministri dhe qeveria, që të tregojë se e marrin seriozisht përmirësimin e lirisë së shtypit.
Një masë konkrete që mund të ndërmerret është hapja e një konsultimi për zbatimin e Aktit Evropian për Lirinë e Mediave (European Media Freedom Act). Kjo është një legjislacion shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, në të cilin Kosova synon të anëtarësohet. Ky akt adreson në fakt shumë nga problemet e lirisë së medias në Kosovë. Prandaj do të ishte pozitive nëse qeveria do të angazhohej për një konsultim mbi aplikimin e këtij legjislacioni të BE-së.
Pas takimit tuaj me kryeministrin Albin Kurti, ai shkroi në Facebook për shqetësime si rënia e gazetarisë hulumtuese dhe problemet me pronësinë e mediave. A shihni një reflektim real të asaj që diskutuat aty?
Mendoj se mund të pajtohemi që gazetarët hulumtues kanë një punë të vështirë në Kosovë, dhe në përgjithësi gazetarët punojnë në kushte të vështira.
Dua gjithashtu ta vlerësoj punën tuaj dhe e di që ju personalisht jeni përballur me sulme nga sigurimi i kryeministrit kur vitin e kaluar keni tentuar të bëni një pyetje lidhur me rënien e Kosovës në indeks. Ju falënderoj për këtë dhe shpreh mbështetjen time.
Megjithatë, duhet të pyesim pse këto kushte janë kaq të vështira. Mendoj se përgjegjësia kryesore qëndron tek qeveria. Edhe kur bëhet fjalë për transparencën e pronësisë dhe financimit të mediave, që është një problem në Kosovë, besoj se qeveria mund dhe duhet të ndërmarrë masa konkrete për ta adresuar këtë çështje.
Një muaj dedikuar për ju duke ju ofruar çmime të mahnitshme Shfleto Fletushkën Online: https://etc-ks.com/fletushka/new/index.php?fletushka=1390481553 Bleni më shumë e...