“Sytë e Ujkut” premierë me 8 tetor - Gazeta Express
string(32) "syte-e-ujkut-premiere-me-8-tetor"

Arte

Gazeta Express

29/09/2025 15:45

“Sytë e Ujkut” premierë me 8 tetor

Arte

Gazeta Express

29/09/2025 15:45

Më 8 tetor, nga ora 20:00 në Qendrën Barabar, do luhet premiera e shfaqjes “Sytë e Ujkut”, nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit.

Me aktorët Irena Aliu, Edona Reshitaj, Armend Smajli dhe Albina Krasniqi, kjo shfaqje e fuqishme trajton njërën prej temave më të heshtura në shoqërinë e pasluftës në Kosovë – stigmatizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe fëmijëve të lindur nga këto krime.

E vendosur në një kasolle të largët malore, shfaqja ndjek tri gjenerata grash, jetët e të cilave janë formësuar nga trauma e pathënë. Përmes guximit të Dilës së re dhe luftës së nënës së saj me kujtimet e dhimbshme, rrëfimi zbulon tensionin mes frikës e lirisë, heshtjes e të vërtetës.

Pjesëmarrja në premierë do të jetë vetëm me ftesë.

Shfaqja do të ketë edhe tri repriza radhazi më 9, 10 dhe 11 tetor, në të njëjtin vend dhe kohë (20:00, Qendra Barabar – Hoteli Grand, kati i 4, Prishtinë).

Kjo shfaqje realizohet si pjesë e projektit “Krijimi i një platforme të qëndrueshme për të adresuar padrejtësitë e së kaluarës dhe për të nxitur pajtimin”, i zbatuar nga Integra dhe i bërë i mundur me asistencën e projektit rajonal Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Projekti mbështetet gjithashtu nga Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brothers Fund dhe Pro Peace – Kosova.