Synimi i Pahor për ta drejtuar dialogun, në Bruksel ende s'ka nisur puna për zgjedhjen e emisarit të ri - Gazeta Express
string(101) "synimi-i-pahor-per-ta-drejtuar-dialogun-ne-bruksel-ende-ska-nisur-puna-per-zgjedhjen-e-emisarit-te-ri"

Synimi i Pahor për ta drejtuar dialogun, në Bruksel ende s’ka nisur puna për zgjedhjen e emisarit të ri

Lajme

Gazeta Express

13/05/2024 17:18

Në tavolinën e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga shtatori do të jetë një ndërmjetës i ri, si përfaqësues i Bashkimit Europian.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor po synon ta marrë postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi Miroslav Lajçakut t’i përfundojë mandati në fund të gushtit.

Lexo Edhe:

Pahor duket entuziast për ta marrë këtë detyrë. Ai paralajmëroi se këtë javë do ta zyrtarizonte kandidaturën.

Zëdhënësja e BE-së, Zoï Muletier i tha Gazetës Express se në Këshillin Europian s’ka nisur ende puna për rishikimin e mandatit të emisarit.

“Mandati aktual i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian është ende i vlefshëm dhe puna në Këshill për rishikimin e mandatit ende nuk ka filluar”, tha Muletier.

Pahor është themelues i institutit privat Miqtë e Ballkanit Perëndimor, misioni i të cilit është integrimi i vendeve të rajonit në BE, nxitja e dialogut, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik.

Për Pahorin si pasues të Lajçakut po lobohet tashmë. Një dorë në këtë po jep edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës, e udhëhequr nga ish-bashkëpartiakeja e tij Tanja Fajon.

Pahor në disa qarqe vlerësohet si kandidat i përshtatshëm për ta zënë një pozicion të rëndësishëm dhe prestigjioz në Ballkanin Perëndimor. Një rrjet diplomatik slloven po përpiqet ta ndihmojë ish-presidentin në këtë synim.

Ai ka thënë se ka një sërë idesh se për ringjalljen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kandidaturën e tij, Pahor duhet ta paraqesë në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm, që drejtohet nga socialisti spanjoll Josep Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e kishte emëruar sllovakun Miroslav Lajçak në detyrën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi në vitin 2020.

Pas zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor, do të vendoset edhe se kush do të jetë shefi i ri i diplomacisë europiane, i cili do ta pasojë Borrellin.