Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka befasuar opinionin sportiv me formacionin që ka zgjedhur për sfidën e mbrëmjes së sotme ndaj Serbisë, që luhet në “Air Albania” duke filluar nga ora 20:45.
Në një ndeshje me peshë të jashtëzakonshme emocionale e historike, tekniku brazilian ka lënë në stol emra të rëndësishëm si Ardian Ismajli, Mirlind Daku dhe Ylber Ramadani, duke iu besuar një formacion që ka ngjallur shumë reagime.
Formacioni startues i Shqipërisë është publikuar me këtë përbërje:
Strakosha – Hysaj, Ajeti, Djimsiti, Mitaj – Shehu, Asllani – Broja, Laci, Hoxha – Manaj.
Në letër, kjo skuadër mund të duket e ekuilibruar, por lënia jashtë e disa prej lojtarëve më në formë të Kombëtares ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e tifozëve dhe analistëve.
Sulmi, për shembull, përbëhet nga Rey Manaj dhe Armando Broja – dy lojtarë që nuk janë aktivizuar rregullisht me klubet e tyre. Manaj nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit të Sivasspor për shkak të problemeve me klubin, ndërsa Broja nuk është paraqitur fare në pesë ndeshjet e fundit me Evertonin. Për të gjetur golin e tij të fundit, duhet të kthehemi më shumë se një vit më parë, kur shënoi ndaj Lihtenshtejnit me fanellën kuqezi.
Në këtë kontekst, mungesa e Mirlind Dakut në formacion duket e pakuptimtë. Sulmuesi më në formë i Shqipërisë ka realizuar katër gola në katër ndeshjet e fundit dhe është treguar gjithmonë me grintë dhe shpirt gare, sidomos në ndeshje me ngarkesë të lartë emocionale si kjo ndaj Serbisë.
Po ashtu, lënia jashtë e Ardian Ismajlit dhe Ylber Ramadanit ka ngritur shumë pikëpyetje. Të dy janë titullarë në Serie A, me eksperiencë ndërkombëtare dhe fizik të fortë – elementë që do t’i duheshin Shqipërisë për të përballuar presionin e një kundërshtari të fortë si Serbia.
Megjithatë, duket se Sylvinho ka preferuar profilin më të qetë të Arlind Ajetit dhe Arbër Hoxhës, duke anashkaluar lojtarë që njihen për lojën e tyre të zjarrtë dhe të vendosur.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Sylvinho deklaroi se “e di që për disa lojtarë kjo është një ndeshje shumë emocionale”, por zgjedhjet e tij sugjerojnë se ka preferuar më shumë qetësinë sesa pasionin në fushë.
Tashmë mbetet të shihet nëse ky formacion do të jetë në gjendje të përballojë presionin dhe intensitetin e Serbisë, apo nëse trajneri do të detyrohet të ndërhyjë shpejt, duke aktivizuar ata që sot mbetën jashtë. Një gjë është e sigurt: kjo sfidë nuk do të jetë vetëm sportive, por edhe simbolike për gjithë shqiptarët./GazetaExpress/
aaaaa