Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se shtetasi i Kosovës, Milan Vukashinoviq, i cili është rrëmbyer nga strukturat serbe në territorin e Republikës së Kosovës, është duke u trajtuar në spitalin e Nishit, pas plagëve të marra.
Sveçla ka bërë thirrje ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe të marrë masa për të ndaluar, siç tha ai, “sjelljet kriminale e destabilizuese të këtij shteti ndaj Kosovës dhe rajonit”.
“Sot inspektova pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u kidnapua shtetasi ynë, Milan Vukashinoviq. Në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se, duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës, z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe,” ka shkruar Sveçla.
Ai, Serbinë e cilësoi si “shtet agresor dhe antidemokratik”, që po mohon të drejtat themelore të qytetarëve të vet.
Sipas tij, institucionet e Kosovës po zhvillojnë hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.