Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka takuar homologun e tij kroat, Davor Bozhinoviq. Sveçla është parë nën shoqërimin e Martin Berishajt.
Sveçla ka shpërndarë detaje të takimit në ‘Facebook’, pa përmendur se në takim ishte edhe Berishaj, i përfolur për shitblerje të energjisë elektrike.
“Në këtë takim diskutuam për situatën e sigurisë për vendet tona, me theks të veçantë mbi rrethanat e reja të krijuara dhe përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë.
Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e sigurisë, të bazuara në qëllime të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftim.
Mediat sllovene ishin të parat që në vitin 2022 raportuan rreth ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin përflitet se është i përfshirë në një skandal të shpërlarjes së parave, përmes një kompanie të tij të regjistruar në Mal të Zi.
“Një skandal diplomatik? Ambasadori i Kosovës në Kroaci akuzohet për shpërlarje parash”, është titulli i mediumit kroat.
Sipas televizionit Planeta, ndaj politikanit slloven është duke u zhvilluar një hetim ndërkombëtar për disa transaksione që i janë dërguar degëve serbe të furnizuesit slloven të energjisë “GEN-I”, kompania e ambasadorit kosovar “MB consulting”.
Sipas mediave, kompania e Martin Berishaj ka marrë 600 mijë euro, të cilat i kanë tërhequr gradualisht kesh dhe që dyshohet se ia kanë kthyer Golubit, për t’i investuar në mënyrë anonime në një fond italian.