Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga bastisja që është bërë sot në banesën e vilën e Milan Radojiçiq, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Sveçla ka thënë se nga pamjet në fjalë “dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit.”, raporton Express.
Tutje, Sveçla ka deklaruar se sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund.
Ai ka thënë se sot është kryer bastistje në banesën e Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”.
“Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, Radojiçiq, përmes përfaqësuesit të tij, e ka pranuar se ka qenë pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë.