Publicisti, Veton Surroi, ka reaguar pas konferencës së mbajtur nga presidentja Osmani rreth krizës së fundit në Kuvend të Kosovës e prodhuar për shkak të pozitës së nënkryetarit të Kuvendit që i përket komunitetit serb. Surroi ka thënë se komuniteti serb ka të drejtë të ketë përfaqësim në Kryesi të Kvuendit me postin e nënkryetarit dhe se kjo është një e drejtë që iu përket, jo që iu jepet.
Surroi ka thënë se komuniteti serb ka bërë propozime për nënkryetar, por shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zgjedhur asnjërin prej tyre, dhe sipas Surroit, kjo nuk nënkupton as bllokadë e as veto për të penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Komuniteti serb nuk ka bllokuar, nuk ka vënë veto e as ka penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Me propozimet e veta i ka dhënë mundësi shumicës që ta bëjë zgjedhjen e tërësisë së Kryesisë së Kuvendit”, ka shkruar ai.
Votimi i shumicës kundër kandidatëve të propozuar, Surroi thotë se ka penguar kompletimin e konstituimit dhe njëkohësisht përmbushjen e kësaj të drejte kushtetuese për komunitetin serb.
“Shumica nuk e ka zgjedhur asnjë kandidat të propozuar nga dy subjektet politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu ka penguar kompletimin e Kryesisë së Kuvendit dhe njëkohësisht përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb.Kjo e drejtë kushtetuese e komunitetit serb duhet të përmbushet”, ka shkruar Surroi.