Surprizë në Maratonën e Londrës, Tola befason rekordmenin Kipchoge - Gazeta Express
string(65) "surprize-ne-maratonen-e-londres-tola-befason-rekordmenin-kipchoge"

Gazeta Express

04/10/2020 21:13

Surprizë në Maratonën e Londrës, Tola befason rekordmenin Kipchoge

Gazeta Express

04/10/2020 21:13

Mbajtësi i rekordit botëror, keniani Eliud Kipchoge konsiderohej si i pathyeshëm në kryeqytetin britanik, megjithatë Maratonën e Londrës për vitin 2020 e fitoi atleti nga Etiopia Shura Kitata Tola. 24-vjeçari fitoi në mënyrë të papritur dhe tepër dramatike Maratonën e Londrës, që në fakt duhej të ishte zhvilluar që më datën 26 prill.

Gjithçka u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe organizatorët vendosën që në fillimin e muajit tetor në edicionin e 40 të Maratonës Londineze të merrnin pjesë vetëm atletët elitarë të kësaj disipline. Maratona e kryeqytetit të Mbretërisë së Bashkuar u zhvillua kështu për herë të parë në stinën e vjeshtës dhe drejtuesit e garës këtë herë preferuan një rrugëtim të ndryshëm nga ai i zakonshmi, duke u rrotulluar plot 19 herë në itinerarin e përcaktuar prej 2.15 kilometrash, përreth Zonës në St’James’s Park.

Lexo Edhe:

Eliud Kipchoge që nuk humbte një garë maratone që nga viti 2013 konsiderohej si favoriti I madh për të triumfuar edhe në edicionin e sivjetshëm, pas tërheqjes së etiopianit Kenenisa Bekele ditën e premte, por 35-vjeçari i famshëm kenian pati probleme fizike ndoshta edhe për shkak të kushteve atmosferike dhe nuk shkoi dot përtej vendit të tetë. Mbajtësi i rekordit botëror të kësaj disipline me kohën 2h 01’ 39”, kohë që është fiksuar që në shtatorin e vitit 2018 në Maratonën e Berlinit, ndjeu lodhje dhe humbi terren, duke mbetur prapa grupit të atletëve kryesues vetëm dy xhiro para fundit.

Në mbylljen e garës ishin tre sportistë që rivalizuan për fitoren, sidoqoftë garën e fitoi pikërisht atleti që pritej më pak. Vijën e finishit e kaloi pra i pari pikërisht Shura Kitata, me kohën 2h 05’ 41”, duke mposhtur për vetëm 1” 23-vjeçarin Vincent Kipchumba, që ishte njëkohësisht edhe i vetmi atlet kenian në gjashtë vendet e para. Në këto 6 pozicione në përfundim u klasifikuan plot 5 atletë nga Etiopia. Kështu 30-vjecari Sisay Lemma e mbylli aventurën e tij vetëm 4” larg kreut, ndërsa më pas me radhë u pozicionuan respektivisht emra të tillë si Mosinet Geremeë, Mule Wasihun dhe Tamirat Tola, ndërsa në vendin e shtatë përpara favoritit Kipchoge u rendit gjithashtu edhe bashkëkombësi i tij Benson Kipruto.

Është i famshëm rivaliteti ndërmjet Kenias dhe Etiopisë, jo vetëm në një disiplinë të tillë, por gjithashtu edhe në garat e ndryshme të thellësisë në “mbretëreshën e sporteve”, gjithsesi Kenia ia doli për të mbajtur lart flamurin në garën e femrave ku respektoi parashikimet pikërisht kampionia në fuqi. Brigid Kosgei është edhe mbajtësja e rekordit botëror në garën e maratonës për femra, me kohën 2h 14’ 04”, rekord i fiksuar pikërisht një vit më parë, në Maratonën e Cikagos. 26-vjecarja keniane u shkëput në kilometrin e 29 nga kampionia e botës Ruth Chepngetich, duke e përfunduar kështu garën me plot 3’ 03” avantazh kundrejt ndjekëses së saj më të afërt.

Kampionia në fuqi Brigid Kosgei që në fund u shpërblye me çekun prej 30.000 dollarësh e kaloi vijën e finishit me kohën 2h 18’ 58”, ndërsa në vendin e dytë u pozicionua atletja nga Shtetet e Bashkuara Sara Hall. Podiumi u plotësua pikërisht nga atletja tjetër keniane Ruth Chepngetich, që e mbylli aventurën e saj afërsisht treçerek sekonde përpara atletes nga Etiopia Ashete Bekere. /SS/