Supremja vs. “lideri suprem” – sulmi i pushtetit ndaj Gjykatës për një vendim që s’i pëlqeu mobilizon edhe ambasadorët e BE'së - Gazeta Express
string(119) "supremja-vs-lideri-suprem-sulmi-i-pushtetit-ndaj-gjykates-per-nje-vendim-qe-si-pelqeu-mobilizon-edhe-ambasadoret-e-bese"

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 17:18

Supremja vs. “lideri suprem” – sulmi i pushtetit ndaj Gjykatës për një vendim që s’i pëlqeu mobilizon edhe ambasadorët e BE’së

Lajme

Gazeta Express

16/07/2025 17:18

Gjykata Supreme shfuqizoi një udhëzim të nënshkruar nga ministri në dorëheqje, Hekuran Murati, duke argumentuar se nxjerrja e këtij udhëzimi nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Ky vendim çoi në përplasje – siç ndodh zakonisht kur ndonjë vendim i gjykatës nuk i pëlqen partisë së Albin Kurtit, e cila po e vazhdon qeverisjen në detyrë edhe pas më shumë se pesë muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Gazeta Express

Gjykata Supreme dje nxori vendim për një ankesë të dy bizneseve ndaj një udhëzimi të Ministrisë së Financave që mbante nënshkrimin e ministrit në dorëheqje, Hekuran Murati, duke e shfuqizuar atë dhe duke e shpallë të jashtëligjshëm.

Përmes nxjerrjes së këtij udhëzimi administrativ, Qeveria në detyrë më 15 prill kishte pezulluar për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.

Në aktgjykimin e Supremes ku u aprovua si e themeltë kërkesa e dy bizneseve dhe u shpall i paligjshëm udhëzimi, gjykata ndër të tjera tha: “Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja. Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”.

Ky konstatim i gjykatës s’i pëlqeu aspak Hekuran Muratit, i cili, në tentativën e tij për të paraqitur vendimin si lejim për “vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, nxori edhe emrat e gjyqtarëve.

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon.  Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet. Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale. Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”.

Pa vonuar shumë Muratit mbështetje i dha qeveria.

Në një reagim Qeveria në detyrë Kurti e  kundështoi vendimin e Supremes, duke e quajtur “arbitrar”, ndërsa e kontestoi arsyetimin e saj se qeverisë në detyrë i mungon kompetenca për të nxjerrë udhëzime të tilla.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit.

Për të arsyetuar kundërshtinë e saj ndaj vendimit të Supremes, Qeveria në detyrë përdori një aktgjykim të një gjykate tjetër – atë të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me bllokadën në Kuvend.

“Ky Aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues”, tha qeveria, e cila në fund paralajmëroi se do të shfrytëzojë mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike.

Ndaj këtyre reagimeve të qeveritarëve në detyrë nuk qëndroi e heshtur Gjykata Supreme.

Në një kundër-reagim, Supremja tha se shpreh keqardhje për reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë dhe shtoi se vendimet e saj të bazuara në Kushtetutë duhet të respektohen.

“Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Supremja.

Kjo gjykatë shtoi se pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor.

Pak pas këtij reagimi të Supremes në debat u inkuadrua edhe koordinatorja e komiteteve e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, për të cilën shpesh raportohet se është ajo që u jep formë mendimeve e reagimeve të partisë.

Ajo u përpoq ta shfaqte këtë vendim të Supremes si opozitë e Albin Kurtit.

“Po tendenca e përgjithshme e kupolës së gjyqësorit dhe prokororialit është disiplinimi në kurriz të së resë që përfaqëson Kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij dhe hapja e vendit për status quo e së vjetër bij të së cilës janë dhe krejt këta profesionistë qelibar, idhtarë të arbitraritetit ekstrem”.

Kësaj përplasje mes ekzekutivit dhe gjyqësorit iu bashkuan edhe partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar, si dhe misionet e huaja në vend.

Të gjitha deklarimet ishin kundër reagimit të qeverisë në detyrë ndaj Supremes, si dhe thirrje për Prokurorinë Speciale të veprojë.

Nga PDK reagoi deputeti Përparim Gruda që tha se gjykata ka vulosur “një të vërtetë” që e kanë theksuar nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.

“Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës”.

Gruda i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë “veprimet e nevojshme” për zbatimin e këtij vendimi, i cili, sipas tij, është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm.

“Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, tha Gruda.

LDK shkoi një hap më tej. Deputetët Besian Mustafa dhe Alban Zogaj kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme, duke e konsideruar këtë një hap drejt “kërkimit të përgjegjësisë institucionale” për shkeljet ligjore nga qeveria në detyrë.

LDK deri më tani ka dorëzuar 17 kallëzime penale ndaj kryeministrit në detyrë, ministrave dhe një zëvendësministre në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, duke i akuzuar për shkelje të Ligjit për Qeverinë.

“Çdo vendim që është marrë pas certifikimit të zgjedhjeve është vendim i jashtëligjshëm”, tha Zogaj, partia e së cilit e mirëpriti vendimin e Supremes.