Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë një udhëzim administrativ të ministrit në dorëheqje Hekuran Murati për punën e arkave fiskale. Në këtë vendim të Supremes thuhet se Ligji për Qeverinë, përkatësisht nenet 28 dhe 29 e përcaktojnë qartë se mandati i Qeverisë së Kosovës përfundon me përfundimin e mandatit katër vjeçar të Kuvendit dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre deputet, shkruan Gazeta Express.
Gjykata Supreme në këtë vendim ka vlerësuar se ministri në detyrë që ka vendosur nënshkrimin e udhëzimit administrativ, i ka përfunduar mandati me përfundimin e mandatit të Qeverisë dhe s’ka ndonjë autorizim “nënkushtetues përkatësisht publik për të ushtruar funksione të tilla për llogari të Republikës së Kosovës”, raporton Express.
Gjykata poashtu ka theksuar se në kufizimet e Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryej vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara të Planti vjetor të punës së Qeverisë dhe në Ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore të reja.
Në këtë vendim, Gjykata Supreme konstaton si të pakontestueshëm faktin se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe s’mund t’i bëjë të dy punët në të njëjtën kohë.
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për gjykatën, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.
Supremja thotë se në këtë vendim konsideron se ka mungesë të autorizimit zyrtar për të nxjerrë udhëzimin administrativ dhe konsideron se Hekuran Murati është duke ushtruar pozitën e tij jashtëligjshëm.
“Gjykata nuk hasë pretendime të tjera, duke konsideruar se mungesa e autorizimit zyrtar për nxjerrjen e aktit, përkatësisht mungesa e kompetencës legjitime për miratimin e aktit në fjalë nga një ministër që nuk është më në funksion të ligjshëm, është arsye e mjaftueshme për të konstatuar se akti është nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Në përputhje me këtë, gjykata ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 i miratuar më 28 mars 2025 nga ministri në detyrë Hekuran Murati, është akt administrativ normativ i kundërligjshëm dhe për këtë arsye duhet të shpallet i pavlefshëm nga data e nxjerrjes së tij, për shkak të kundërshtimit me aktet e lartëpërmendura ligjore dhe me Kushtetutën”, thuhet në vendim./GazetaExpress/