Ngjarja tragjike e ndodhur në fillim të sezonit të parë turistik pas pandemisë COVID, mes dy familjeve Verracaku dhe Gocaj, pronarë të dy hoteleve vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit që prodhoi 4 viktima në qershor të 2021-shit në Velipojë për shkak të një konflikti për shezlongët rikthehet sërish në vëmendje.
Ish punonjësja e BSH-së Milena Deraj ka mashtuar anëtarët e mbetur gjallë të familjes Ferracaku, Hasani dhe dy djemtë e tij, Abedin dhe Shyqyri, me pretendimin se do t’i ndihmonte në çështjen gjyqësore.
Sipas policies ajo iu ka marrë 340 000 euro, me premtimin se do t’i ndihmonte në procesin gjyqësor për ngjarjen e ndodhur në vitin 2021. Të akuzuarit për masakrën me 4 të vrarë, pasi kanë kuptuar se janë mashtruar kanë kërcënuar 30-vjeçaren nga Vlora përmes mesazheve.
Por si ndodhi masakra?
Konflikti nisi për disa metra territor plazh në Velipojë. Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç mbeten të vdekur. 20-vjeçari kishte filluar punë si kamerier në hotelin Gocaj pak kohë para ngarjes.
Debatet e para mes Ferracakëve dhe Gocajve nisi pasditen e 26 qershorit 2021 në plazhin e Velipojës, për lejen e shfrytëzimit të stacione të plazhit mes dy hoteleve të familjeve që i ndajnë vetëm 50 metra. Pas debatëve verbale ata u larguan duke u ritakuar sërish pak para mesnate. 6 anëtarë të familjes Ferracaku, shkojnë tek Hotel “Gocaj”, 50 metra larg hotelit të tyre “Fantazia”, për t’u sqaruar mbi debatin e nisur për shezlongët. Kujtim Ferracaku, vëllai i tij Hasan Ferracaku dhe 3 djemtë e Hasanit, dhe nipi i Kujtimit, Mirlind Dyli iu drejtuan hotel ‘Gocajt’ të armatosur dhe ulen në një tavolinë në ambientet e jashtme të hotelit të tyre.
Ferracakët i porosisin kamerierit Musaen Zeneli një kafe dhe më pas tavolinës së tyre i bashkohet Edmond Gocaj. Pak metra larg tavolinës, brenda një automjeti ndodhej Xhovani Gocaj, vëllai i Edmondit, me një armë kallashnikov me vete.
Pas debateve, Hasan Ferracaku dyshohet se qëllon për vdekje me pistoletë Edmond Gocajn. Sapo kjo është parë nga i vëllai i tij, Xhovani Gocaj që ndodhej në makinë ka dalë duke qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Ferracakëve ku la të vrarë Kujtim Ferracakun, dhe plagosi Hasan Ferracakun dhe Mirlind Dylin nga breshëria e kallashnikovit.
Grupi i Ferracakëve kundërpërgjigjen me armë duke vrarë kamerierin Musaen Zeneli dhe Xhovani Gocaj.
/Gazeta Express