string(69) "superliga-rikthehet-ne-mesjave-interesante-lufta-per-ti-ikur-barazhit"

Sport

Gazeta Express

05/05/2025 16:20

Superliga rikthehet në mesjavë, interesante lufta për t’i ikur barazhit

Sport

Gazeta Express

05/05/2025 16:20

Superliga e Kosovës në futboll do të rikthehet këtë mesjavë, me disa ndeshje mjaft interesante.

Luftë e ashpër po zhvillohet për t’i ikur barazhit me disa klube që po tentojnë të mbesin në ligë, pa u dashur të luajnë edhe një ndeshje shtesë.

Kampioni i Superligës tashmë është mësuar, me Dritën që dje e siguroi edhe matematikisht titullin e kampionit, pas fitores ndaj Llapit me 1-0.

Megjithatë, elita e futbollit kosovar rikthehet shumë shpejt në aksion, me xhiron e 33-të që do të luhet të martën, mërkurën dhe të enjten.

Gjilani – Malisheva do të jetë ndeshja që do të hapë këtë xhiron, me takimin që luhet në stadiumin ndihmës në Gjilan.

Malisheva vjen nga një seri e dobët rezultatesh, me ekipin e Bekim Isufit që në pesë ndeshjet e fundit është pa fitore.

Ndërkohë, Gjilani xhiron e kaluar fitoi me rikthim ndaj Feronikelit ’74 në Drenas.

Të mërkurën do të luhen dy ndeshje tjera.

Në duelin kokë-më-kokë për barazh, Dukagjini i bën konak Prishtinës. Kjo e fundit xhiron e kaluar e mposhti kampionin në fuqi, Ballkanin, derisa Dukagjini barazoi me Malishevën.

Suhareka do të tentojë që të marrë tri pikë të mëdha në udhëtim te Feronikeli ’74, i cili tashmë ka rënë nga liga. Suhareka me pak gjasa për të zënë pozitën e barazhit, pasi momentalisht është shtatë pikë larg Llapit, që e mbanë këtë pozitë.

Të enjten, në Suharekë do të ndeshen kampionia e re, Drita me Ballkanin që ishte kampion në fuqi deri dje.

Drita është treguar shumë e fortë për Ballkanin sivjet, duke e mposhtur në tri ndeshjet e kaluara.

Ndërkohë, Ferizaj që po synon Europën, do t’i shkojë Llapit në Podujevë, i cili është në krizë rezultatesh dhe çdo rezultat tjetër pos fitores, do të ishte ‘dështim’ për ta.

Të gjitha ndeshjet e përmendura nisin nga ora 15:00./GazetaExpress/