Sezoni i ri i ligës elitare të basketbollit do të fillojë sonte me përballjen Peja – Sigal Prishtina
Sezoni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll do të fillojë sonte.
Me të filluar edicioni 2020/2021 do ta shohim një ndeshje derbi, shkruan Gazeta Express.
Në fakt, rivalët e vjetër, Peja dhe Sigal Prishtina do t’i matin forcat në përballjen e tyre në palestrën “Karagaçi”.
Bardhekaltrit do t’i hyjnë kësaj ndeshjeje të motivuar pas triumfit që e patën që fundmi në Superkupën e Kosovës.
Kurse, Verdhezinjtë duan ta nisin pozitivisht sezonin e ri pasi dëshpëruan në Superkupë.
Një ndeshje tjetër interesante në xhiron e parë do të jetë ajo në mes të finalistit të Superkupës, Bashkimi dhe Trepçës.
Ekipi Portokalli është mjaft i fuqishëm këtë sezon, ndërsa edhe mitrovicasit janë riorganizuar.
Në duelet tjera, Ponte Prizreni e pret Golden Eagle Yllin, kurse Rahoveci llogarit në fitore kundër Vëllaznimit.
Ndeshjet do të luhen të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje pa praninë e shikuesve.
Në palestër mund të jenë të pranishëm vetëm 50 persona, përfshirë këtu dy skuadrat, zyrtarët e ndeshjes dhe përfaqësuesit e FBK-së. /Gazeta Express/