Superliga duket gjithnjë e më shumë se është në rrugë drejt zhdukjes, dhe qëllimi i saj përfundimtar mund të jetë të shërbejë si një trup negociues me UEFA-n.
Megjithëse raportohet se Superliga ka shanse për të fituar në gjykata dhe për të nisur konkurrencën e saj, duket se nuk ka plane që kjo të ndodhë së shpejti.
Në muajt e fundit u raportua se kompania organizuese A22 është në rrezik falimentimi, pa përparim drejt nisjes së kompeticionit.
Këtë javë u bë e ditur se Barcelona po konsideron largimin nga Superliga, gjë që do të linte vetëm Real Madrid dhe A22 në garë.
Sipas raportimeve të MD, Superliga ka pasur bisedime me UEFA-n gjatë gjithë vitit, megjithëse Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e mohoi këtë.
Informacioni është se të dy entitetet janë takuar të paktën shtatë herë për të diskutuar të ardhmen e futbollit evropian, disa prej të cilave kanë ndodhur në zyrat e UEFA-s.
Thuhet se Superliga, ku Presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, ka një rol vendimtar, ka propozuar një marrëveshje paqeje, ku ata sugjerojnë dy ndryshime të mëdha në Ligën e Kampionëve. Nëse pranohet, ata do të ndalojnë përpjekjet për të ndryshuar lojën.
Ndryshimi i parë lidhet me platformën e transmetimit “Unify” të propozuar nga Superliga. Kjo do të ishte një platformë falas që do të transmetonte ndeshje në mbarë botën. Do të kishte një version falas me reklama dhe një version pagues pa reklama. Të ardhurat do të vinin nga reklamat, duke mbyllur formatin aktual të marrëveshjeve televizive siç njihen sot.
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me formatin e garës. Ideja e tyre është të ndajnë ligën aktuale me 36 skuadra në dy grupe prej 18 ekipeve secili. Grupi më i mirë (sipas renditjes së UEFA-s) do të luajë ndeshje me njëri-tjetrin në tetë përballje, ku tetë të parët kualifikohen në 1/8-at e finales. Tetë të tjerët nga “Grupi 1” do të përballeshin me tetë të parët nga “Grupi 2”, që përbëhet nga skuadrat e renditura nga vendi 19 deri në 36.
Qëllimi është “garantia e rritjes së nivelit në fazën e parë me ndeshje më cilësore”, ndërkohë që u jepet klubeve nga “Grupi 2” mundësia për të kualifikuar.
Ky format do të siguronte më shumë përballje spektakolare, por disa e shohin si vazhdim i propozimeve të Superligës për të dhënë më shumë garanci për para dhe progres për klubet më të mëdha të Evropës, duke ulur rrezikun që ato të mos kualifikohen. Sipas formatit të ri, vetëm dy nga 18 klubet më të larta të renditura nuk do të jenë në fazën e eliminimit direkt./GazetaExpress/