Inter është konsideruar si underdog në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain, sipas superkompjuterit të Opta-s, por disa të dhëna mund të jenë ogur i mirë për zikaltrit.
Ky është takimi i parë ndonjëherë në një ndeshje zyrtare mes këtyre dy skuadrave, edhe pse të dyja kanë arritur në finale kohët e fundit dhe kanë dalë të mundura. PSG u mposht nga Bayern Munich në vitin 2020, ndërsa Inter u mund nga Manchester City në finalen e vitit 2023.
Duke marrë parasysh historinë dhe formën e këtij sezoni, superkompjuteri i Opta-s llogarit që Paris Saint-Germain ka 56.6 për qind mundësi për të fituar trofeun, ndërsa Inter ka 43.4 për qind.
Në më shumë se 10,000 simulime, kompjuteri parashikon që PSG ka 44.6 për qind mundësi për të fituar brenda 90 minutave, ndërsa Inter vetëm 29 për qind në kohën e rregullt.
Megjithatë, vlen të përmendet se skuadra e Simone Inzaghit e ka “gabuar” tashmë superkompjuterin më herët këtë sezon. Për shembull, pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales ndaj Barcelonës, Inter kishte vetëm 44 për qind shanse për t’u kualifikuar – më shumë a më pak sa parashikohet edhe tani për finalen – por ata triumfuan 7-6 në total pas kohës shtesë.
Në fillim të Ligës së Kampionëve, të njëjtat llogaritje vendosnin Manchester City-n si favorit kryesor me 25.3 për qind, ndjekur nga Real Madrid me 18.2 për qind dhe Inter me vetëm 10.9 për qind./GazetaExpress/