Në kuadër të fushatës “Super Komuniteti” kompania Super Viva ka realizuar një tjetër iniciativë solidariteti, duke dhuruar 30 printerë për shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Rahovecit.
Ky donacion ka për qëllim të përmirësojë procesin mësimor dhe të ndihmojë nxënësit dhe mësimdhënësit në zhvillimin më të lehtë të aktiviteteve arsimore. Printerët do të shpërndahen nëpër shkolla me qëllim modernizimin e infrastrukturës administrative dhe mësimore.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit, Kryetari i Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi falënderoi përfaqësuesit e kompanisë Super Viva për kontributin e çmuar, duke theksuar se partneritetet me bizneset lokale janë thelbësore për fuqizimin e arsimit dhe komunitetit.
“I falënderova përfaqësuesit e kompanisë për këtë kontribut të vlefshëm dhe u urova suksese të mëtutjeshme në aktivitetin e tyre biznesor. Mbështetja e sektorit privat është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e komunës sonë,” – u shpreh z. Latifi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Super Viva theksuan se kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë për t’i dhënë kthim komunitetit, duke investuar në arsim, infrastrukturë dhe mirëqenie sociale.
Kjo është vetëm një nga shumë iniciativat që Super Viva po realizon në kuadër të programit “Super Komuniteti”, i cili synon të mbështesë shkollat, institucionet publike dhe familjet në nevojë përmes donacioneve konkrete dhe bashkëpunimeve të qëndrueshme.