Sundimi i injorancës - Gazeta Express
string(20) "sundimi-i-injorances"

Gazeta Express

05/08/2020 14:41

Sundimi i injorancës

Gazeta Express

05/08/2020 14:41

Nuk ka qytetar të Kosovës që nuk e di që njerëzit e humbin jetën në aksidente trafiku. Nga plumbat qorr. Nga kanceri. Nga pika në tru a nga infarkti. Por ja që paska goxha shumë të tillë që nuk e pranojnë që mund të sëmuresh dhe të vdesësh nga Covid-19.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Në një hulumtim të ‘nervit publik’, të bërë kohë më parë, doli që hiç më pak se 29% të respondentëve, nuk besojnë që në Kosovë  (dhe më gjërë, natyrisht), ka fare Pandemi apo përhapje të sëmundjes Covid-19.

Dyshimi për ekzistimin e këtij virusi që vazhdon të bëj kërdinë tek ne, me shifrat marramendëse të cilat na shfaqen çdo ditë pas orës tre, (dhe të cilat në krahasim me numrin e popullatës, na bëjnë shtetin aktualisht më të goditur në Evropë), shfaqet përditë edhe në ato bisedat e shkurtëra, të cilat televizionet tona nacionale i bëjnë me kalimtarët e rastit në qytetet tona.

Ka edhe figura të njohura dhe të popullarizuara të estradës të cilat botërisht e mohojnë që në Kosovë ka virus.

Në një vend, çfarë është Kosova, ku në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në muajin tetor të vitit të kaluar, partia fituese  (’Vetëvendosje’ e ish-Kryeministrit Albin Kurtit), doli e para me pak më shumë se 26% të atyre që morën pjesë në zgjedhje, një shifër e këtillë prej 29% të atyre që nuk besojnë që në Kosovë ka Covid-19  (gjegjësisht që e tëra është një lloj i konspiracionit ndërkombëtar), realisht, është tronditëse, shokuese, tmerruese.

Po të hamendësojmë që së shpejti këndejpari do të formohet partia politike e këtyre qytetarëve të Kosovës të cilët e refuzojnë realitetin e kësaj sëmundjeje, dhe nëse supozojmë që kjo parti njëmend do të arrijë t’i grumbullojë votat e këtyre 29% të mosbesuesve, do të mund të ndodhte befasia e paparë në këtë politikën kosovare, kur kjo parti do të mund madje edhe t’i fitonte zgjedhjet, dhe të ofronte Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Diçka e tillë në praktikë nuk mund të ndodhë, por në teori së paku, një kalkulim i këtillë statistikor dhe politik del fare i mundshëm.

Natyrisht, ata që janë me te dy këmbët në tokë  (si thuhet te ne), me të shpejtë do t’i kundërvihen këtij supozimi politik, duke thënë, pos tjerash, që numri real i qytetarëve të Kosovës që e kanë problem të besojnë që këtu tek ne  (dhe në Botë), ka një Pandemi përmasash të papara që nga ai ’Gripi spanjoll’  (njëqind e më shumë vjet më parë), është më i ulët se sa ky që ka dalë në këtë hulumtim, që skena politike kosovare është krejt diçka tjetër në krahasim me këto shifra dhe që më fund, kurrë ndër ne nuk do të formohet një subjekt i këtillë politik me qasjen Anti-Covid.

Megjithatë, nëse njëmend kemi mbërri si shoqëri tek një situatë a një gjendje kur gati një e treta e qytetarëve refuzojnë ta pranojnë një realitet që na ka goditur aq keq të gjithë neve, atëherë, kjo flet shumë se çfarë shoqërie jemi bëri ne, si Kosovë, dhe sa kemi kontribuar që të gjithë që të besohet, me në një shkallë aq të lartë në Teori të konspiracionit, ose në interpretime dhe shpjegime të cilat janë matanë realitetit, në atë ’Twilight Zone’  (’Zonën e mugëtirës’, një serial i njohur televiziv amerikan).

Nuk ka vend më në Kosovë që nuk është prekur nga Covid-19. Statistikat e të vdekurve në Kosovë, në javën e fundit, janë tej mase shqetësuese. Zgjerimi i virusit ka marrë përmasat që shtyjnë ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës, të flasin për qindra mijëra kosovarë që sipas të gjitha gjasave janë të infektuar nga Covid-19. Megjithatë, gjithçka është kot. Ende ndër ne pra ka të tillë që kundërshtojnë fuqimisht ekzistencën e një sëmundjeje të këtillë që po bënë hatanë këtu, në Evropë dhe në Botë.

Natyrisht, për fatin tonë të madh  (mbi të gjitha), Covid-19 nuk ka shkallë të lartë të vdekshmërisë dhe forca e tij goditëse tek fëmijët është më e dobët se sa ai i një gripi sezonal.

Sidoqoftë, nuk ka dhe nuk mund të ketë shpjegim racional si kemi mbërri kështu, si shoqëri, si vend, në një situatë kur kaq shumë veta nuk i besojnë një të vërtete brutale që ka çmimin e vet edhe në viktima në njerëz.

Nuk ka qytetar të Kosovës, ta zëmë, që nuk beson që tek ne, njerëzit e humbin jetën në aksidente të rënda trafiku. Nga plumbat qorr që shkrepen në dasma apo edhe gjatë festimit të vitit të ri. Nga kanceri. Nga pika në tru a nga infarkti. Por ja që paska goxha shumë të tillë që nuk e pranojnë këtë të vërtetën për shkaktarin më të ri të vdekjeve në Kosovë.

Kemi telashe reale ne, të shfaqura në të gjitha format e mundshme, në të gjitha organizimet e një shoqërie  (në politikë, në kulturë, në fe), të cilat i kemi injoruar aq shumë.

Ka sa të duash popullizëm dhe fanatizëm, ka me të madhe tendenca retrograde në këtë vend, ka me bollëk injorancë dhe arrogancë, saqë në instancë të fundit, ndoshta edhe nuk duhet befasuar shumë se si kemi mbërri këtu ku jemi, kur ndër ne ka shumë të tillë që nuk duan ta shohin me sytë e tyre një realitet të rëndë, shumë të vështirë dhe gjithnjë e më tragjik në Kosovë.

Ajo Kosova e vitit 2000, e sapo dalë nga lufta, me shumë viktima, me shumë plagë dhe me gërmadha, në të katër anët e saj, ka qenë shumë më e kthjellët, më e qartë, më e dijshme, më vizionare, krejtësisht e lidhur me realitetin, shumë e afërt me Perëndimin dhe me Botën, se sa kjo Kosova e vitit 2020.

Ky virus ka shpërfaqur, me të gjitha të këqijat dhe pasojat e gjithëfarshme, vetëm atë Majën e Icebergut se ku kemi rënë si vend, si shoqëri. Natyrisht, nuk e kemi ndërmend ta ndërrojmë drejtimin.