Sulmohet me 6 plumba vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi - Gazeta Express
string(56) "sulmohet-me-6-plumba-vetura-e-gazetarit-shkumbin-kajtazi"

Sulmohet me 6 plumba vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi

Gazeta Express

18/10/2020 11:34

Gazetari Shkumbin Kajtazi është sulmuar nga persona të panjohur. Vetura e tij është goditur me rreth gjashtë plumba, raporton Express

Lajmin për sulmin e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një statusi në Facebook.

Lexo Edhe:

“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës. Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim”, ka shkruar Kajtazi.

“Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme. Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme”, ka shkruar ai.

Kajtazi ka bërë të ditur se e ka lajmëruar rastin në Polici.

“Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi. Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij”. Ka shkruar Kajtazi.

Kjo është hera e dytë që gazetari Shkumbin Kajtazi sulmohet. Herën e parë, atij kishin tentuar t’ia djegin veturën me benzinë./Express/