Pesë ushtarë amerikanë janë sulmuar me armë zjarri në bazën e tyre ushtarake, Fort Stewart, në shtetin e Xhorxhias të mërkurën, dhe personi i dyshuar për sulmin është ndaluar, thanë zyrtarët e ushtrisë amerikane.
Ushtarët e plagosur u trajtuan fillimisht në vendin e ngjarjes dhe më pas u transportuan në Spitalin e Komunitetit Ushtarak në Xhorxhia për trajtim të mëtejshëm, thuhet në një postim të bazës në Facebook.
Autoritetet nuk dhanë menjëherë hollësi të tjera mbi gjendjen e të plagosurve.
“Nuk ka kërcënim aktiv për komunitetin”, thuhej në postim.
Forcat e rendit reaguan ndaj raportimeve për të shtëna të mundshme në zonën e Brigadës së Dytë të Blinduar në orën 10:56 të mëngjesit me orën lokale, dhe baza u izolua pak pas orës 11:04.
I dyshuari u arrestua në orën 11:35, tha baza ushtarake.
Ushtria nuk dha hollësi mbi personin e dyshuar, përfshirë nëse ai apo ajo është ushtar apo ushtare.
Guvernatori Brian Kemp shkroi në platformën X se ai dhe familja e tij janë “të pikëlluar nga tragjedia e sotme” në bazë.
“Ne po lutemi për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që i përgjigjen thirrjes për të shërbyer, dhe u kërkojmë të gjithë banorëve të Xhorxhias ta bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi ai.
Presidenti Donald Trump është njoftuar për të shtënat dhe po e ndjek situatën nga afër, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në platformën X.
Fort Stewart ndodhet në Hinesville, rreth 362 kilometra në juglindje të Atlantës dhe 64 kilometra në jugperëndim të Savanah.
Sipas regjistrimit të vitit 2020, në këtë bazë jetojnë gati 9.000 persona.
Baza mbështet rreth 15.000 ushtarë aktivë të ushtrisë, si dhe mijëra veteranë, anëtarë të familjeve të tyre dhe të tjerë, sipas faqes së saj zyrtare./REL