Një sulm i armatosur në një shkollë të mesme në qytetin Graz të Austrisë tronditi vendin të marten. Numri i viktimave pasdite shkoi në 11, pasi një grua vdiq në spital nga plagët e marra. Në mesin e viktimave është edhe autori i dyshuar të të shtënave – një ish-nxënës 21-vjeçar, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën, ndër ta dy në gjendje kritike dhe pesë të tjerë në rrezik për jetën. Të gjithë iu nënshtruan operacioneve të menjëhershme kirurgjikale.
Ngjarja tragjike ndodhi në shkollën BORG Dreierschützengasse, e vendosur në rrethin Lend të qytetit. Sulmi nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur autori i dyshuar hapi zjarr në të paktën dy klasa të ndara. Sipas autoriteteve, dhjetë persona humbën jetën në vend, ndërsa sulmuesi mendohet se i ka marrë jetën vetes në tualetet e shkollës.
Policia reagoi menjëherë, duke rrethuar zonën dhe ridrejtuar trafikun. Në vendngjarje u vendosën forcat e armatosura dhe njësia speciale Cobra. Situata u vu nën kontroll brenda orës 11:30, sipas zyrtarëve.
“Është një nga ditët më të zeza për qytetin tonë,” deklaroi kryetari i bashkisë së Grazit në një konferencë për shtyp.
Nga të dhënat e deritanishme, viktimat janë shtatë femra dhe tre meshkuj – të gjithë nxënës
Sipas Ministrit të Brendshëm, sulmuesi ishte një 21-vjeçar me origjinë nga Graz, i cili kishte qenë më parë nxënës i shkollës, por nuk i kishte përfunduar studimet. Ai kishte në pronësi ligjore dy armë – një pistoletë dhe një armë të gjatë – të cilat u përdorën në sulm.
Motivi i tij mbetet ende i paqartë dhe autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar, që pritet të zgjasë ditë apo edhe javë.
Drejtoria e Arsimit e Styrianit ka aktivizuar ekipe të emergjencës psikologjike dhe ka ngritur qendra për mbështetje të nxënësve dhe familjarëve. Në qendrën Helmut-List-Halle po ofrohet përkujdesje dhe këshillim për të prekurit, ndërsa është hapur edhe një linjë ndihme për prindërit dhe nxënësit.
Ekspertët këshillojnë biseda të hapura me fëmijët dhe kufizimin e ekspozimit ndaj mediave në ditët pas incidentit, për të ndihmuar përballimin e traumës, raporton albinfo.ch.