Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi, Prokuroria nis hetimet - Gazeta Express
string(56) "sulmi-ndaj-gazetarit-visar-duriqi-prokuroria-nis-hetimet"

Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi, Prokuroria nis hetimet

Lajme

Gazeta Express

25/02/2021 13:23

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se është iniciuar rasti “Lëndim i rëndë trupor”, lidhur me sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi, raporton Express

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e këtij rasti.

Lexo Edhe:

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin lidhur me incidentin ndaj gazetarit V.D., se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të rastit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, gazetari Visar Duriqi është sulmuar mbrëmjen e së mërkurës në afërsi të banesës së tij.

Persona të panjohur, të maskuar, e kanë rrahur gazetarin dhe i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në një prononcim për Express, Duriqi ka deklaruar se është kërcënuar që nga viti 2014.

Pas trajtimit mjekësor që ka pranuar, Duriqi ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës në Prishtinë.

Pas deklaratës në polici, Duriqi ka thënë se rrahja ka zgjatur rreth një minut e gjysmë, ndërsa sulmi ka nisur nga një person fillimisht, më pas janë përfshirë edhe dy të tjerë.

Ai tha se i ka katër dhëmb të thyer, nofullën dhe hundën të dëmtuar, si dhe lëndime të tjera.

Gazetari Duriqi pohon se kërcënime ka pranuar nga viti 2014-të, teksa shton se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të punës së tij në dokumentarin hulumtues që e transmeton në TV dhe media online.

Duriqi ka deklaruar se hetimet për gjetjen e të dyshuarve do t’ia lë në dorë policëve hetues.

Policia ka konfirmuar se të dyshuarit kanë mbajtur maska gjatë sulmit, përderisa gazetari është rrahur në afërsi të banesës së tij.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, ka thënë policia./GazetaExpress/