Sot, Policia e Kosovës nëpërmjet raportit të saj të përditshëm ka bërë të ditur se dy policë në Viti janë sulmuar nga tre persona. Dy nga të dyshuarit janë arrestuar, kurse një tjetër është në arrati, shkruan Gazeta Express.
Nga raporti bëhet e ditur edhe se policët kanë pranuar tretman mjekësor.
‘‘SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR
Fsh. Drobesh, Viti 01.08.2025, 20:00. Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë-zyrtarë policorë, kanë has në rezistencë gjatë tentim arrestimit të tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë sulmuar fizikisht nga të dyshuarit. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar, kurse njëri nga të dyshuarit gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt’’, thuhet në raportin e PK-së.
Ndaj këtij rasti ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës, nga ku është shprehur shqetësim i thellë lidhur me këtë rast, duke i bërë thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon policët.
‘‘Reagim i Sindikatës së Policisë së Kosovës
Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me sulmin e papranueshëm që u është bërë dy zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga tre persona të dyshuar në fshatin Drobesh, Komuna e Vitisë. Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës. Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm’’, thuhet në komunikatë.
Në reagim kërkohet nga qytetarët që të respektojnë policinë dhe të mos ushtrojnë rezistencë.
‘‘Njëkohësisht, Sindikata e Policisë së Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë punën e Policisë, të mos ushtrojnë rezistencë ndaj urdhrave ligjorë të zyrtarëve policorë – pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike – si dhe ta mbështesin Policinë e Kosovës si institucion kyç për sigurinë, rendin dhe zbatimin e ligjit në vend’’, thuhet në komunikatë.
Në fund, nga Sindikata theksohet se Policia është mburojë e qytetarëve dhe garantuese e rendit kushtetues.
‘‘Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme. Sindikata e Policisë së Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në përkrahje të secilit zyrtar policor në përmbushje të misionit të tij ligjor dhe profesional’’, përfundohet në komunikatë. /GazetaExpress