Sulmi izraelit në Katar nxit dyshime në Iran për diplomacinë me Perëndimin - Gazeta Express
string(74) "sulmi-izraelit-ne-katar-nxit-dyshime-ne-iran-per-diplomacine-me-perendimin"

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 19:49

Sulmi izraelit në Katar nxit dyshime në Iran për diplomacinë me Perëndimin

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 19:49

Tronditja nga sulmi i parë izraelit në territorin e Katarit po ndihet në Teheran, ku ai ka ndezur dyshime mbi vetë qëllimin e negociatave me Perëndimin.

Për shumë analistë iranianë, fakti që sulmi ndodhi pikërisht kur udhëheqësit e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po shqyrtonin, dhe sipas raporteve po anonin drejt pranimit të një propozimi për armëpushim dhe këmbimit të të burgosurve të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e ka forcuar bindjen se diplomacia nuk është gjë tjetër veçse një “kurth”.

Pas sulmit, emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, i tha presidentit iranian, Masud Pezeshkian, se udhëheqësit e shënjestruar të Hamasit, jo vetëm që po e shqyrtonin ofertën amerikane, por edhe kishin treguar gatishmëri për ta pranuar.

Politikanë të linjës së ashpër në Iran menjëherë e shfrytëzuan këtë detaj.

Agjencia Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, e akuzoi Izraelin se po përdor “maskën e negociatave diplomatike” për të vrarë udhëheqësit e Hamasit. Media të tjera konservatore theksuan se, pavarësisht faktit që Katari është mikpritës i bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe ka nënshkruar kontrata me vlerë miliarda dollarësh me SHBA-në, ai “nuk arriti të garantojë sigurinë e vet”.

Edhe zëra më të moderuar dhe reformistë, të cilët mbështesin diplomacinë me Perëndimin, e krahasuan këtë ngjarje me sulmet ajrore izraelite të qershorit ndaj Iranin – të kryera në kohën kur Teherani dhe Uashingtoni po përgatiteshin për një rund të ri bisedimesh për çështjet bërthamore.

“Duket se Amerika dhe Izraeli mendojnë se qëllimi i raketave është të godasin tavolinën e negociatave”, shkroi në X figura reformiste Mohammad Ali Abtahi. “Ata nuk i duan negociatat”.

Ku ishin mbrojtjet ajrore?

Katari posedon sisteme të avancuara amerikane të mbrojtjes ajrore, përfshirë sistemin raketor Patriot dhe atë kundërajror THAAD. Megjithatë, raketat izraelite kryen sulme pa asnjë pengesë.

Kjo ka shtyrë disa në Iran të pretendojnë se ose Katari injoroi paralajmërimet për raketat që ishin nisur drejt tij, ose mbrojtjet e tij ajrore kontrollohen tërësisht nga SHBA-ja.

Komentatori radikal Masoud Barati, në një postim në X e talli Katarin për “moskontrollin e mbrojtjes së vet ajrore”.

Disa të tjerë kujtuan se mbrojtjet ajrore të Katarit kishin rrëzuar raketa iraniane kur Teherani sulmoi bazën Ajrore Al Udeid – ku ndodhet selia e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) – në qershor, pasi Uashingtoni bombardoi objektet bërthamore të Iranit.

Analisti për Lindjen e Mesme, Mehrdad Farahmand, tha për Radion Evropa e Lirë se fakti që raketat nuk u vërejtën “tregon se Amerika nuk kishte kundërshtime për sulmin”. Ai shtoi se kjo ngre pyetje serioze, duke pasur parasysh marrëveshjet e gjera të bashkëpunimit ushtarak mes SHBA-së dhe Katarit.

Mundësi për Iranin?

Disa konservatorë e shohin sulmin si një mundësi për Iranin që të ngrejë profilin e tij rajonal si mbrojtës i sovranitetit.

Komentatori politik Mohammad Hossein Khoshvaght tha se shtetet arabe mund të rishikojnë politikën e tyre ndaj Teheranit dhe ta shohin Iranin “me sy më të hapur”.

Edhe faqja e lajmeve Mashregh, e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, argumentoi se sulmi i jep Iranit shansin të forcojë narrativin e tij në opinionin publik global.

Sipas kësaj media, Teherani mund ta përdorë incidentin për të forcuar të ashtuquajturin “bosht të rezistencës” – rrjetin rajonal të aleatëve dhe grupeve të armatosura të Teheranit – kundër Izraelit.

Sipas Mashregh, kjo lëvizje “jo vetëm që e ka izoluar më tej Izraelin në rajon dhe botë, por edhe e ka ngritur pozitën e Iranit si mbrojtës i sovranitetit kombëtar dhe të boshtit të rezistencës në frontin rajonal, diplomatik, ushtarak dhe të opinionit publik”.

Me gjithë retorikën kundër bisedimeve me SHBA-në, Teherani duket i prirë që të rifillojë negociatat – qoftë edhe indirekte – me Uashingtonin, për të shmangur rikthimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, që mund të rivendosen në fund të muajit. /REL