string(120) "sulmet-nga-pushteti-per-rastin-e-pecit-shoqata-e-prokuroreve-e-papranueshme-respektoni-pavaresine-e-sistemit-prokurorial"

Lajme

Gazeta Express

28/05/2025 12:45

Sulmet nga pushteti për rastin e Pecit, Shoqata e Prokurorëve: E papranueshme, respektoni pavarësinë e sistemit prokurorial

Lajme

Gazeta Express

28/05/2025 12:45

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, është shprehur e shqetësuar me akuzat që janë bërë ndaj sistemit të drejtësisë nga zyrtarë të qeverisë në detyrë, pas intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nga Prokuroria Speciale, shkruan Gazeta Express.

Në reagimin e shoqatës, vlerësohen si e papranueshme gjuha ‘’denigruese’’ dhe ‘’akuzat publike’’ që janë bërë ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala.

‘‘Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve’’, thuhet mes tjerash në reagimin e shoqatës.

Tutje, në reagim kërkohet nga akterët politikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial.

Komunikata:

Lidhur me deklaratat publike ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, dhe prokurorit të çështjes, z. Admir Shala

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës me shqetësim ka përcjellë reagimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e një zyrtari të lart në cilësinë e të dyshuarit.

Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, z. Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese.

Prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet. Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve.

Shoqata rithekson se kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike, dhe jo lidhje të supozuara apo të interpretuara politikisht.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë garantuese e pavarësisë së secilit prokuror në Republikën e Kosovës, duke mbështetur ata që veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe në interes të zbatimit të drejtë të ligjit, pa frikë dhe pa favor. /GazetaExpress