Stupidity! - Gazeta Express
string(9) "stupidity"

OP/ED

Gazeta Express

16/07/2022 10:52

Stupidity!

OP/ED

Gazeta Express

16/07/2022 10:52

Vota është mjeti më joracional por i vetmi për të marrë pushtetin në demokraci. Turma vazhdon të mendojë se ka zgjedhur shpresën para korrupsionit. Kurse OJQ-istë dhe intelektualët akademikë e kanë mbështetur Albin Kurtin si personifikim të ndryshimit, tashti e kanë futur kryet në zall. As nuk punojnë për të (ngase Kurti duke luajtur populistin e paskrupulla zvogëloi rrogat në Qeveri) dhe as nuk e kritikojnë për turret dhe huqet e tij politike, pra kanë zgjedhur heshtjen.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Intelektualët entuziastë të fillimit të qeverisjes Kurti tashmë janë stepur, së pari të turpëruar që janë rreshtuar me një kastë entuziastësh të padijshëm politikë dhe së dyti u vjen inat se rânë pré e propagandës dhe fake news, duke instaluar pushtet arbitrar. Kurti, së këndejmi, ka mbetur krejt vetëm, i rrethuar me një tufë budallenjsh që asnjë ide politike nuk e kanë, thjesht ai ka ndërtuar një Qeveri me profile qytetarësh të paarsimuar dhe injorantë në politikë!?

Albin Kurti, së fundi pati një “ekspeditë” teorike në Greqi.

“Jam takuar me Fukuyama-n”- e nisi lajmin nga andej, si dëshmi se nuk është si kryeministrat pararendës, të cilët zor se dinë diçka për dijetarin amerikan të origjinës japoneze.

Lufta në Ukrainë përmbysi trajektoren progresiste të historisë dhe pos Fukuyama-s, të cilit iu fundos teoria, e bëri Kurtin të ketë parandjenja të çuditshme: “ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over”

Kosova mund të jetë e treta …”

Kryeministri ashiqare që vuan nga kompleksi i vlerës më të ultë dhe shtyhet me teorikët, me shkrimtarë e poet, artistë e intelektualë… Porse, ai është një protestues profesionist antiestabilishment.

Ai, për të treguar se ka lexuar shumë, se di shumë, thjesht po ngatërrohet në qeverisje, duke dëshmuar paaftësi të theksuar.

Është kjo një ikje epistemologjike nga shtëpia, një azil në teori.

Ai gjen prehje në libra e autorë që shpesh i citon në mënyrë të gabuar dhe spekulative siç i ndodhi me romanin “I huaj” të Albert Camus-it dhe me një kinse thënie të Churchill-it!?

Është kjo në thelb, njëfarë ikje nga pozita në të cilën është mandatuar, në një rrafsh të projektuar imagjinar, të sferës metafizike. Duket se Kurti është nën efektin Dunning-Kruger si një paragjykim kognitiv, ku njerëzit me aftësi, ekspertizë ose përvojë të ulët në lidhje me një lloj të caktuar të një detyre ose fushë njohurie, priren të mbivlerësojnë aftësinë ose njohuritë e tyre.

Kryeministri Kurti së këndejmi qeverisjen e ka ritualizu dhe kufizu në mbledhje të Qeverisë ku merren dofarë vendimesh e koncepdokumentesh që nuk zbatohen kurrë dhe në vizita jashtë, të cilat (si ajo në ShBA) përfshihen në pako turistike të Agjencive të udhëtimit.

Kurti në vend të vendimeve jopopuliste e të vështira, por të domosdoshme për vendin ka zgjedhur status quon, ndërkohë që shet kopalla!?

Kryeministri këto ditë, në mënyrë fabulative, u bë personazh i rubrikave të televizioneve ballkanike “Njerëz të humbur”, duke teoritizuar vetë dhe dëgjuar ligjërata të ekonomistëve e profesorëve të shkollës peripatetike, si në epokën e filizofisë antike greke.

Ai sapo u kthye shkoi në

kuvend, me kryet qykë, pa i përfshi rekomandimet e Komisionit të Venedikut, turravrap e shtyni përpara Byronë e tij, për konfiskim të pasurisë.

Gjë që nuk e kishte bërë me kaq entuziazëm me Kodin Civil, i cili, natyrisht që nuk i sjell vota.

Kryeministri e kaloi në lexim të parë Byronë e tij, e cila, kushedi, nesër dhe nga ndonjë kastë politike e papërgjegjshme, mund të përdoret për hakmarrje politike!?

Edhe mbështetës të tij habitën, jo vetëm kundërshtarët, përse kjo nguti e Kurtit?

Afërmendësh që ishte një vendim me kast që turmave t’u ofrojë diçka më të nxehtë se vapa e korrikut, nga libri i tij i dëshirave, që ta harrojnë varfërinë, pagat e ulëta dhe inflacionin 14.1 në korrik, 2022.

U dha masave një karrem për ta përtypur (floskulë politike) duke u shfaqur kësaj herë hapur i rrezikshëm për shtetin dhe demokracinë!

Me Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasunisë (pa i përfillë rekomandimet e Komisionit të Venedikut), pushteti e dha edhe ni provë se ky mekanizëm është thjesht ni Byro politike – si ni degë e Kominternës – dikur, dhe se meraku që buron nga inatet  (emotiviteti) për t’ua marrë pasurinë kundërshtarëve politikë për t’ua dhënë militantëve të vet, të zhytur në terrin e injorancës, po e bën këtë shumicë (Qeveri) jo vetëm Robin Hood-iste (joracionale) por edhe staliniste!

Me një pallavër të Albin Kurtit si premtim elektoral, në Kuvend, u shkel parimi universal i të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Kosovës dhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut!

Në anën tjetër, të njëjtën ditë kur atij iu pik të bëjë një veprim agresiv ndaj rendit kushtetues dhe të drejtave të njeriut, njëra nga deputetet iluminatore të masave të gjëra, kërkoi kontroll qeveritar mbi mediat.

Një zë i mykur në mosdije dhe i shtytur nga hezi për hakmarrje, si ai i Fitore Pacollit, e vë në dyshim tezën e Sartorit për demonokracinë pa armiq!?

Ashiqare që ajo nuk ka guxim qytetar e intelektual të jetë vetja, ajo vetëm e bëri të zëshme bindjen e shefit të saj, Kurtit, i cili, ende botën e sheh me sytë e ni revolucionari të hazdisur të 14 korrikut, 1789, ndonëse jemi në dekadën e tretë të shekullit 21!?

Epokën globalizuese Kurti e sheh me sytë dyshues të revolucionarit!???

Qeverisë Kurti ashiqare që nuk po i pëlqen sistemi i ndërtuar në Kosovë me aq mund e sakrifica, nga gratë dhe burrat që për 23 vjet punuan për etablimin e tij!?

Pos sulmeve zinxhirët ndaj medias së lirë, tash duan t’ua marrin kompetencat agjencive të pavarura.

Në këtë vazhdë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Këshilli ka vendosur që këto vendime Qeveria t’i prapësojë.

“E shkela Kushtetutën, që të mos e shkel ligjin” ishte justifikimi i ministres së arsimit kohë më parë, “zbulim” që po e përcjell qeverisjen e Kurtit.

E ai, sigurisht se me Glaukun, Mefin e Dimalin, është ulur në ndonjë zyrë për të folur për “Fundin e historisë”, (Kurtit i duket se me të, vërtet nisë e bitiset gjithçka, zatën sindromi i Vitit Zero i shquan të gjitha qeverisjet në Kosovë!?) të Francis Fukuyama-s, ndonëse paraqet huqjen e epokës. Historia jo që shënoi fundin e saj, por ajo është ri zgjuar më e egër dhe ulëritëse se kurrë më parë!

Fukuyama e ka vërejtur se besimi (Truth) është amëza e mirëmbajtjes së institucioneve demokratike të shtetit postmodern, kurse Kurti po e rrënon çfarëdo besimi në institucione e parti politike, në individë të sektorit civil dhe media!?

Nëse Kurti për një mandat nuk i shkatërron institucionet e shtetit, jemi me fat!