Më shumë se 100 alpinistë kanë mbetur të bllokuar nga një stuhi dëbore në shpatet tibetiane të malit Everest. Media shtetërore kineze thotë se autoritetet kanë arritur t’i kontaktojnë të gjithë ata.
Rreth 350 të tjerë janë çuar në vende të sigurta nga ekipet e shpëtimit, sipas raportimeve të medias.
Transmetuesi shtetëror kinez CCTV ka publikuar disa foto që tregojnë operacionin e shpëtimit që është duke u zhvilluar.
Bora e madhe bllokoi qindra turistë që po bënin ecje në luginën tibetiane që të çonte në faqen lindore të malit Everest gjatë fundjavës, në fillim të një feste kombëtare tetë ditore në Kinë.
Një guidë i përshkruan reshjet e dëborës si jashtëzakonisht të larta për këtë kohë të vitit, ndërsa ekipet e shpëtimit udhëzojnë turistët përmes stuhive të borës rreth shtigjeve dhe rrugëve të bllokuara, shkruan A2 CNN.
Reshjet e borës në luginën e Karmës, e cila të çon në faqen lindore të Everestit, filluan të premten në mbrëmje dhe vazhduan deri të shtunën, duke lënë qindra alpinistë të bllokuar.
Mediat lokale fillimisht thanë se rreth 1,000 alpinistë kishin mbetur të bllokuar. Të hënën, media shtetërore kineze raportoi se 350 persona u evakuuan, ndërsa rreth 200 të tjerë janë kontaktuar .
Qindra fshatarë vendas dhe ekipe shpëtimi janë vendosur për të pastruar borën që bllokon hyrjen në zonë, e cila ndodhet në një lartësi prej më shumë se 4,900 metrash.
Autoritetet lokale thanë se shitja e biletave dhe hyrja në Zonën Pamore të Everestit janë pezulluar që nga e shtuna për shkak të reshjeve të dendura të borës, përcjell A2 CNN.
Gjatë javës së kaluar, turizmi vendas ka lulëzuar në Kinë, e cila është në mes të festës njëjavore të Ditës Kombëtare të njohur si Java e Artë.
Everesti është maja më e lartë në botë me mbi 8,849 metra. Edhe pse shumë njerëz përpiqen ta ngjiten në majë çdo vit, ajo konsiderohet një ngjitje tepër e rrezikshme. Të dhënat sugjerojnë se ka pasur më shumë se 280 vdekje në mal.
Shumica e këtyre vdekjeve janë nga ortekët ose rrëzimet. Sëmundja akute malore, me simptoma të marramendjes, të vjellave dhe dhimbjeve të kokës, ka shkaktuar gjithashtu vdekje.