Rreth një e treta e rasteve të demencës në botë lidhen me sëmundje që nuk prekin drejtpërdrejt trurin, si sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, diabeti, sëmundjet e mëlçisë dhe ato të zorrëve, sugjeron një studim i ri.
Studiues kinezë kanë gjetur lidhje mes rrezikut për demencë dhe 16 sëmundjeve periferike, përfshirë sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, të mëlçisë dhe zemrës, diabetin e tipit 2, osteoartritin, sëmundjet inflamatore të zorrëve, artritin dhe sëmundjet kronike të mushkërive (COPD). Këtyre u shtohen humbja e dëgjimit dhe e shikimit, të cilat prej kohësh dihet se rrisin rrezikun për Alzheimer, forma më e shpeshtë e demencës.
Autorët theksojnë se ruajtja e shëndetit të organeve periferike duhet të jetë pjesë kyçe e politikave globale për promovimin e shëndetit të trurit dhe parandalimin e demencës.
Studimi, i botuar në Nature Human Behaviour, analizoi të dhëna nga mbi 200 studime të mëparshme për të vlerësuar rrezikun e 26 sëmundjeve të ndryshme. Rezultatet treguan se 16 prej tyre shoqërohen me rrezik të shtuar për demencë, që përkthehet në rreth 18.8 milionë raste në shkallë globale. Rrezikun më të lartë e paraqesin sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, sëmundjet kronike të mëlçisë, humbja e dëgjimit dhe shikimit, si dhe diabeti i tipit 2.
Edhe pse studimi nuk provon një lidhje shkak-pasojë, autorët vlerësojnë se shumë raste mund të parandalohen nëse këto sëmundje trajtohen herët.
Gjetjet përputhen me një konsensus të madh shkencor të publikuar muajin e kaluar, ku ekspertë ndërkombëtarë prezantuan një “hartë rruge” me 56 rekomandime për parandalimin e demencës, duke u bazuar edhe në faktorët e rrezikut të identifikuar nga Komisioni Lancet 2024. Megjithatë, studiuesit theksojnë se identifikimi i faktorëve të rrezikut nuk mjafton: për shkak të lidhjes së ngushtë mes trurit dhe shëndetit periferik, parandalimi i sëmundjeve jashtë trurit mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e trurit.
Ata sugjerojnë masa konkrete, si edukimi për shëndetin oral dhe kontrollet e rregullta dentare për grupet në rrezik të lartë (personat mbi 50 vjeç, diabetikët dhe duhanpirësit). Aktualisht, më shumë se gjysma e të rriturve në Britani kanë ose rrezikojnë të zhvillojnë sëmundje të mishrave të dhëmbëve, por këto janë lehtësisht të trajtueshme dhe trajtimi i tyre mund të ulë edhe rrezikun për diabet, sëmundje të zemrës dhe demencë.
Për parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë, autorët rekomandojnë zgjerimin e vaksinimit kundër hepatitit B dhe informim më të madh të publikut për rreziqet e konsumit të alkoolit.
Studimi mbështetet edhe në përfundimet e Komisionit Lancet 2024, sipas të cilit gati gjysma e rasteve të Alzheimerit mund të parandalohen përmes ndryshimeve në stilin e jetesës dhe adresimit të faktorëve si kolesteroli i lartë, mungesa e aktivitetit fizik, izolimi social dhe ndotja e ajrit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 900 mijë persona jetojnë aktualisht me demencë, një shifër që pritet të rritet në mbi 1.6 milionë deri në vitin 2040. Në nivel global, numri i të prekurve pritet të arrijë në 153 milionë deri në vitin 2050, ndërsa kostot shëndetësore dhe sociale tashmë janë jashtëzakonisht të larta.
Studiuesit përfundojnë se investimi në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve të zakonshme periferike është një strategji e realizueshme, me kosto të ulët dhe potencial të madh për të ulur ndjeshëm barrën globale të demencës. /GazetaExpress/